
Ai tregoi se ishte kontraktuar nga kompania çeke për çështje sigurie për investimet e mundshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Merxhani tha se në 2006-ën ka shoqëruar përfaqësues të CEZ-it në Shqipëri që janë takuar me ish-ministrin Genc Ruli dhe po gjatë kësaj periudhe kohore është njohur me Nue Kalaj.
“Shok pas shoku jam takuar me Nuelin, duke biseduar mu duk djalë shumë serioz. I tregova për ta bërë këtu si përcjellës i delegacioneve që nëse ndodh gjë në Shqipëri të jetë si njeriu më i sigurt”, u shpreh ai.
Merxhani tha se vetë ai është paguar me 0,3% të shumës së privatizimit të OSSH si tarifë suksesi, ndërkohë që Kalaj ka pasur kontratë me vete dhe marrëdhëniet me të nuk kanë vazhduar normalisht pas 2007-s.
Për opozitën këto dëshmi nuk kanë vlerë dhe bëhen për te mbuluar rimarrjen e aksioneve nga Shqipëria të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë.
“Po bëni rolin e shtytës të hemorragjisë për të fshehur 600 milionë euro në momentin e zgjidhjes së kontratës”, u shpreh Ridvan Bode.
Por për mazhorancën dëshmia tregon ndikimin e sekserit kosovar Nue Kalaj.
“Sa herë që CEZ kërkonte ndryshime të termave të kontratës, këtu hynte në lojë Nue Kalaj”, u shpreh Taulant Balla.
Socialistët në Komision kërkojnë që të vijë për të dëshmuar edhe i biri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, pasi sipas tyre ka informacion mbi çështjen e privatizimit.
26 janar 2017 (gazeta-Shqip.com) / TCH

