Përfaqësues të lartë dhe aktivistë partiakë të BDI dhe ASh së Ziadin Selës nga Fronti Evropian kaluan natën nën tenda para Gjykatës Kushtetuese, si pjesë e aksionit politik “Roje për gjuhën” në mbrojtje të gjuhës shqipe, përcjell INA.
Me roje 24 orëshe para Gjykatës Kushtetuese, Bashkimi Demokratik për Integrim si nismëtare theksoi se deri më 11 dhjetor (e mërkurë) do të qëndrojnë në mbrojtje të ligjit për gjuhët, gjegjësisht gjuhës shqipe.
Arbër Ademi nga BDI theksoi se aty do të qëndrojnë deri të mërkurën kur është caktuar seanca e Gjykatës Kushtetuese, por nuk tha se si do të mbrojnë, përkatësisht nëse nuk do të lejojnë hyrjen e gjykatësve.
Seanca e Gjykatës kushtetuese për rishqyrtim të neneve të kontestuara të Ligjit për gjuhët është caktuar të mërkurën. Tani për tani dy gjykatësit shqiptar Osman Kadriu dhe Naser Ajdari paralajmëruan se do ta bojkotojnë seancën.(INA)