Në vend që të ulet numri i automjeteve të vjetra të cilat importohen prej jashtë vendit në periudhën e kaluar është rritur. Të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikave tregojnë se vjetërsia mesatare e automjeteve motorike vjet ka qenë 19,3 vjet, që është rezultati më i keq prej vitit 2003 deri më sot, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Një dekadë paraprakisht, në vitin 2010 vjetërsia mesatare e automjeteve në vend ka qenë 16,3 vjet, gjegjësisht automjetet kanë qenë për 3 vjet më të rinj në krahasim me sot. Paralelisht me këtë, Drejtoria e Doganave të Republikës së Maqedonisë së Veriut vjet ka regjistruar import rekord të automjeteve të vjetra. Vetëm në vitin 2019-të në vend kanë hyrë 41.479 automjete të vjetra nga vendet e huaja.
Të dhënat e fundit të Drejtorisë Doganore të RMV-së tregojnë se në gjysmën e parë të vitit 2020 dinamika nuk është ndryshuar. Pjesa më e madhe e automjeteve të importuara janë të vjetra. Nga gjithsej 11.592 automjete motorike të importuara në periudhën janar-qershor 2020, madje 8.000 janë të vjetra.
Më tepër është shqetësues fakti se rritet numri i automjeteve të vjetra dizel në vend, të cilat gradualisht hiqen nga përdorimi në vendet perëndimore të Evropës, për shkak të ndotjes së ajrit.



