Në Komisionin Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) të Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV) sot do të hedhet shorti për numrin rendor të kandidatëve në fletën e votimin në zgjedhjet presidenciale, transmeton Portalb.mk.
Kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkoski dje ka konfirmuar se është kompletuar lista e kandidatëve, dhe më 21 prill, në zgjedhje presidenciale do të garojnë: Kandidati i pavarur, Blerim Reka, kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska dhe kandidati i 30 partive politike, Stevo Pendarovski.
Shefet e shtabeve zgjedhore premtuan fushatë zgjedhore të veçantë: të qetë, evropiane dhe demokratike.
Derkoski apeloi që kandidatët t’u shmangen paraqitjeve publike dhe deklaratave deri më 1 prill, kur edhe zyrtarisht do të fillojë fushata zgjedhore, për të përfunduar më 19 prill. Pas kësaj do të pasojë heshtje zgjedhore prej 48 orësh. Rrethi i parë zgjedhor për zgjedhjet e gjashta presidenciale do të jetë më 21 prill, ndërsa i dyti më 5 maj. Rreth të dytë do të kemi nëse asnjë kandidat për president nuk e fiton shumicën e nevojshme të votave.
Bashkë me zgjedhjet presidenciale, zgjedhje lokale do të mbahen edhe në tri komuna: Dibër, Ohër dhe Novoselë.