Ministria e Arsimit dhe Shkencës informon se në sistemin qeveritar ENER dhe në ueb faqen e MASH janë publikuar pesë propozim -ligje në fushën e arsimit, dhe opinioni mund të marrë pjesë në krijimin e zgjidhjeve më cilësore me të cilat do t’i avancojnë shërbimet arsimore dhe do të sigurojnë më shumë të drejta dhe mundësi për palët e interesuara në procesin edukativo-arsimor, transmeton Portalb.mk.
Bëhet fjalë për Propozim- ligje krejtësisht të reja për arsimin e mesëm; për arsimin profesional dhe trajnim dhe për arsimin e të rriturve, si dhe Ligjet për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Arsimin Fillor dhe Ligjit për Kornizën Kombëtare për Kualifikime.
Propozim-Zgjidhjet janë përgatitur nga grupet punuese të formuara me vendim të ministres së Arsimit dhe Shkencës, në të cilët marrin pjesë përfaqësues të MASH-it dhe shumë institucione të tjera kompetente, ekspertë dhe profesionistë të fushës mësimdhënëse dhe akademike.
“Duke pasur parasysh se zgjidhjet ligjore më të mira dhe më efektive sillen ekskluzivisht përmes qasjes gjithëpërfshirëse me pjesëmarrjen e të gjitha palëve të interesuara, MASH-i inkurajon qytetarët që të kontribuojnë në përmirësimin e rregullativës ligjore në fushën e arsimit dhe në këtë mënyrë të marrin pjesë në ndërtimin e sistemit arsimor cilësor”, thonë nga MASH.
Sugjerimet dhe propozimet për plotësimin/ndryshimin e zgjidhjeve ligjore dorëzohen në email adresën elektronike zakonskaregulativa@mon.gov.mk, ndërsa mundësia është e hapur deri në fund të muajit shtator.
Kujtojmë se ministrja ditë më parë ka sqaruar se ligji me të cilin do të zyrtarizohet arsimi dual në sistemin e arsimit të mesëm do të bartet pikërisht në këtë paketë.