Non paper-ët e publikuar së fundit, ndonëse u hodhën poshtë nga shumë zyrtarë të shteteve europiane, megjithatë ngjallën tezën se “aty ku ka tym, ka edhe zjarr”. Rrjedhimisht, publikimi i atyre dokumenteve të pakonfirmuara e rikthyen kujtesën kolektive në vitet e ’80-ta dhe ’90-ta të shekullit të kaluar, kur thuhej se “kufijtë nuk ndryshojnë” dhe se “zgjidhjen duhet kërkuar brenda shtetit”. Këto çështje janë në fokus të intervistës së Revistës SHENJA, të zhvilluar me ekspertin e politikave ndërkombëtare, Rizvan Sulejmani.
Në këtë intervistë. Sulejmani thekson se shtetet etnike, në parim, janë më efikase dhe më funksionale, por është vështirë që sot, ashtu si në kohën e shekullit të nëntëmbëdhjetë të formohen shtete homogjene në aspektin dhe religjioz, qoftë për shkak të mobilitetit që paraqitet si rezultat i globalizimit, por më së shumti për shkak se shtetet që sot krijohen në Ballkan shumë gjatë kanë jetuar në një territor të përbashkët, ku kufijtë etnikë nuk janë përputhur me përbërjen etnike.
Rizvan Sulejmani
“Sot sado që një shtet mund të jetë i madh, nuk mund të jetë aq i madh sa tërë një popull ta ketë brenda kufijve të vet. Për më tepër, madhësia e një populli sot nuk matet me territorin që e kontrollon, por shumë më tepër me nivelin e zhvillimit tekniko-teknologjik dhe inovacionet që i prodhon. Vetëm inovacioni është trashëgimi që sot zbulohet, kurse gjenerata e ardhshme e gëzon. Ose, shumë më rëndësi është sa je i ngritur në lartësi, në vijën vertikale sesa sa je i shtrirë në hapësirë, në vijën horizontale”.
Sulejmani ngre alarmin për nevojën e lartë që kanë shqiptarët për të qenë më syçelë karshi zhvillimeve të ndryshme në arenën ndërkombëtare. Po kështu ai paralajmëron edhe për zgjidhjet e mundshme rajonale, të cilat shqiptarët nuk duhet t’i zënë gafil, pasi në atë rast kostoja e optimizmit të verbër do të ishte shumë e lartë.
Rizvan Sulejmani
“Ballkani ngec në integrime, kemi elita të korruptuara që vazhduan të qeverisin me shtetet e Ballkanit dhe, së fundi, dalin në sipërfaqe të gjitha dështimet. Kështu marrëveshjet që ishin përpiluar për funksionim të shteteve multietnike, si e Dejtonit, Rambujes ose e Marti Ahtisarit mbi parimin e integrimit, e humbën kuptimin ose u treguan tejet jofunksionale dhe me kosto shumë të lartë për funksionim. Si pasojë, në mungesë të strategjisë për realitetet e reja, nëse pak më me kujdes analizohen përmbajtja e non-paper-ëve, kështu vihen në lojë idetë klasike për ruajtjen e paqes në Ballkan përmes shteteve etnike”.
Sulejmani ka deklaruar se Maqedonia e Veriut nuk është e parapërcaktuar ta korrigjojë historinë, por ta shfrytëzojë atë për të nxjerr mësim për të ardhmen. /SHENJA/