Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë pritet të marrin sot në shqyrtim një çështje me rëndësi të veçantë, që lidhet me rishikimin e praktikës gjyqësore për vendosjen e masave të sigurisë.
Burime bëjnë me dije se zëvendësprokurori i përgjithshëm, Arqile Koca, ka kërkuar që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura. Sipas tij, kjo kërkesë lidhet me faktin se çështja konkrete që ka nxitur këtë shqyrtim është ende në proces dhe po trajtohet në një seancë paraprake në Gjykatën e Lartë.
Nga ana tjetër, avokati Luan Hazneziri është shprehur se çështja ka interes të lartë publik dhe, për këtë arsye, duhet të jetë e hapur për publikun, të paktën në pjesën që lidhet me njëhsimin e praktikës gjyqësore.
Në përfundim të seancës, Kolegjet e Bashkuara janë tërhequr për të marrë vendimin, i cili pritet të ketë ndikim në mënyrën se si do të interpretohen dhe zbatohen masat e sigurisë në vijim.


