Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha se rishikimi i ligjit për arsimin e lartë do ndërtohet mbi konsultime të gjera me universitetet dhe ekspertët e fushës, për të krijuar një sistem më funksional dhe më pranë nevojave të studentëve.
Ajo mori pjesë në konferencën “Drejt një tregu global të arsimit të lartë, ndryshimet në ligj”, organizim i “Ligës së Universiteteve Gjon Durrahium” me fokus tek propozimet e lidhura me rishikimin e ligjit të arsimit të lartë.
Kumbaro bëri të ditur se Ministria ka nisur prej muajsh një proces konsultimi me universitetet në vend, për të analizuar mënyrën se si është zbatuar ligji aktual gjatë dekadës së fundit dhe për të identifikuar ndryshimet e nevojshme.
Sipas saj, në këtë proces janë përfshirë rektorë, pedagogë dhe ekspertë të drejtësisë, ndërsa propozimet e universiteteve po shqyrtohen nga grupi teknik i ngritur pranë ministrisë.
“Nëse gjërat ndërtohen që në themel mirë, përmes një procesi komunikimi të hapur dhe me gjithëpërfshirje, marrin edhe vlerën në kohë, përtej një mandati. Që në nëntor, u jam drejtuar me një letër të gjitha universiteteve në vend, për të marrë prej tyre eksperiencën e bashkëjetesës 10-vjecare me ligjin e arsimit të lartë.”, tha ministrja.
Ajo tha se numri i institucioneve të arsimit të lartë në raport me popullsinë kërkon një qasje të re, të bazuar tek profilizimi i universiteteve dhe ndërkombëtarizimi i tyre, në mënyrë që studentët shqiptarë të jenë konkurrues edhe jashtë vendit.
“Fryma e ligjit duhet të jetë e orientuar drejt studentëve dhe ndërlidhjes reale me tregun e punës. Ky numër IAL-sh në raport me vendin tonë, na çon drejt dy rrugëve: profilizimin e universiteteve dhe ndërkombëtarizimin.
Ne duhet ta shohim këtë realitet, përmes lenteve të profilizimit dhe ndërkombëtarizimit ku sot loja nuk zhvillohet brenda kufijve tanë, zhvillohet në një arenë ndërkombëtare, me dinamizëm të lartë, me të rinj që ikin e vijnë”, vijoi ministrja Kumbaro duke prezantuar shtyllat kryesore të vizionit për ligjin e ri të arsimit të lartë.


