Në Maqedoni planifikohet të realizohet projekti për rikonsolidimin apo riorganizimin e parcelave tokësore. Kjo do të thotë së Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujrave nëpërmjet projektit të financuar nga BE (2.56 mln euro) dhe I cili do të realizohet nga FAO, do të fillojë punën për ndryshimin e kufinjve apo edhe formave të parcelave për të pasur sipërfaqe me forma më të harmonizuara dhe më të përshtatshme për prodhime bujqësore dhe më të plota, shkruan Almakos.
Në prezantimin e sotëm ( e martë) të kësaj punëtorie i pranishëm ishte edhe Euroamabasadori Samuel Zhbogar. Ky i fundit tha se ky projekt ka rëndësi për disa arsye si në aspektin strategjik apo edhe atë të konkurencës në treg dhe zhvillimit ekonomik.
“Pothuajse të gjitha fermat në vend janë të një madhësie shumë të vogël dhe përbëhen nga disa parcela. Fragmente të tilla të vogla të parcelave e bëjnë punën më të komplikuar, marrin më shumë kohë, më shumë shpenzim për fermerët, pamundësojnë shfrytëzimin e teknologjisë bashkëkohore dhe ndikon negativisht në konkurencë në këtë sektor”- tha Euroambasadori Samuel Zhbogar.
Sipas tij nëpërmjet një punë bashkëpunuese mes stafit realizues të projektit dhe ministrisë, do të mund të bëhet një ambient më i bukur rural për gjeneratat e ardhshme.
Në kuadër të promovimit të këtij projekti do të realizohen 4 punëtori në të gjithë vendin. Kjo u paralajmërua nga ministri Ljupço Nikollovski.
Nga Ministria e Bujqësisë dhe Pylltarisë do të ndahen nga programi 160 milion euro në vit për mbështetjen e bujqësisë si dhe për vendosjen e sistemeve ujitëse.
Megjithatë, ministri Nikollovski i pyetur nga Almakos se sa mendon se do ta mbështesin një projekt të tillë fermeret dhe bujqët e maqedonisë, dha këtë përgjigje:
“Kjo është një nga pyetjet sistemore me të cilën duhet të merremi. Unë këtë muaj kam harxhuar shumë energji. Qëllimi i realizimit të projektit është që para të gjithave të përfitojnë fermerët dhe bujqët. Sigurisht që ky projekt ka nevojë për shumë bashkëpunim dhe mbështetje edhe nga fermerët apo pronarët e parcelave”– tha ministri Ljupço Nikollovski.
Aktivitete për konsolidimin e tokës do të mbështeten në një fushatë publike, nëpërmjet mirëkuptimit, interesimin mes shfrytëzuesve potencial. Do të organizohet 4 punëtori rajonale për informimin sa më të mirë të bujqëve, përfaqësuesve local, për konsolidimin e tokës dhe përfitimet e kësaj. Konsolidimi i tokës bujqësore, shpjegoi Nikollovski do të zhvillohet përmes këmbimit të parcelave, kufinjt e pracelave do të ndryshohen, ndërsa forma e parcelave vetëm nëse është e nevojshme.
Sipas ministrit të Bujqësisë Lupço Nikollovski, Maqedonia me 2,5 milionë euro mbështetje nga BE-ja dhe profesionalizëm të FAO-s, gjatë 3,5 viteve intensivisht do ta zbatojë procesin e konsolidimit të tokës bujqësore përmes projektit “Mainland” që filloi në mars të viti të ardhshëm, ndërsa do të zgjasë deri në gusht të vitit 2020.
Sistemi i tillë i konsolidimit të parcelave praktikohet në Gjermani, Norvegji, etj.
Evi Shkopi
Almakos.com