Riorganizimi i Gjykatësve në Gjykatës Penale dhe shpërndarja e re e lëndëve paraqet kthim në gjendjen normale, pas shumë keqpërdorimeve në sistemin elektronik për shpërndarje të lëndëve, vlerëson profesori universitar, Bekim Kadriu. Sipas tij, ky riorganizim duhet të ofrojë një shpërndarje të drejtë dhe të paanshme të lëndëve deri tek gjykatësit, me çka do të garantohet një proces më i drejtë dhe efikas.
“Respektimi i përpiktë i procesit të shpërndarjes së lëndëve, respektimi i sistemit AKMIS për shpërndarjen elektronike të lëndëve dhe parandalimi i keqpërdorimeve në këtë drejtim do të jetë një garanci e rëndësishme që do të mundësojë një gjykim të drejtë në procedurat penale dhe procedurat që natyrisht i zhvillon PPS. Nuk mendoj se bëhet fjalë për ndonjë keqpërdorim, por thjesht mendoj se është një parandalim, një pengim i asaj çka ndodh deri tani nga ish-kryetari i Gjykatës Penale për abuzimet dhe keqpërdorimet e sistemit AKMIS”,- deklaroi profesori universitar, Bekim Kadriu.
Sa i përket efikasitetit të procedurave gjyqësore, Kadriu vlerëson se shtyrja dhe stërzgjatja e proceseve gjyqësore është problem evident në të gjitha gjykatat e vendit. Bëhet fjalë për mosrespektim të një parimi thelbësor të procedurës gjyqësore dhe ajo është zhvillimi i procedurës në afat të arsyeshëm. Reformat e deritanishme për efikasitet në procedurat gjyqësore, sipas tij, nuk kanë treguar efekt.
“Problemi është më i thellë, nuk i përfshin vetëm rastet që përfaqëson PPS-së. Është problem që haset edhe në procedurat, civile, penale dhe ato administrative, dhe mendoj se deri më tani të gjitha reformat që janë bërë në RM ndoshta kanë pasur qëllim që gjithsesi të shkurtohen procedurat dhe mos të ketë shtyrje të panevojshme dhe banale të procedurave, mirëpo fatkeqësisht mendoj që nuk e kanë dhënë rezultatin e duhur. Kam bindje se rastet që përfaqëson PPS-ja, për shkak të presionit të opinionit, mendoj se zhvillohen në një procedurë relativisht të mirë. Të analizoni rastet tjera, do të habiteni se sa shtyhen dhe me vite të tëra palët gjykohen dhe nuk mund të arrijnë deri te drejtësia”,- theksoi profesori universitar, Bekim Kadriu.
Edhe ky vit për gjykatat do të jetë i ngjeshur me procedura penale, sidomos ato të ngritura nga PPS-ja, ku të akuzuar janë ish-funksionarë të VMRO-DPMNE-së.
FLORIJE BELULI-KAMBERI