Këshilltarët e Komunës së Tetovës kanë miratuar propozim vendim për shpalljen e disa rrugëve në qytetin e Tetovës si rrugë njëkahëshe. Është vendosur që rrugët “Strasho Pinxhur”, “Todor Xhipovski Merxhan”, “Boris Kidriç” tek shkolla e mesme “Bratsvo -Migjeni”, rruga “Kuzman Josfivski Pitu”, të jenë njëkahëshe pasi që në këto rrugë sipas sektorit përkatës, nuk i përmbushin kritetet që të jenë dykahëshe dhe e stërngarkojnë komunikacionin në Tetovë, shkruan gazeta KOHA.
“Gjithsej janë 30 rrugë njëkahëshe që janë shpallur. Disa rrugë kanë qenë me propozim të Sektorit të Punëve të Brendshme, kurse ne dhamë edhe disa propozime shtesë, për disa rrugë me qëllim që të kemi një komunikacion më të lirshëm edhe për parkim, edhe për këmbësorët por edhe për automjeteve, ngase ne kemi shumë probleme me parkimin, prandaj menduam që të ketë edhe vend për parkim, edhe për trotuar por edhe lëvizje më të lirë pa ngarkesa. Propozuam që edhe shtatë rrugë tjera të jenë pjesë e këtij vendimi, ku nuk ka trotuare. Këto rrugë nuk kanë gjerësinë e mjaftueshme pra nuk janë as 6 metra”, tha Elmir Mustafai nga Sektori për Komunikacion në komunën e Tetovës.
Konkretisht bëhet fjalë për rrugët që janë në pjesën nga posta, biblioteka e vjetër dhe për tek Shkolla e Muzikës dhe sipas tij, pritet që efektet e para të jepen pas vendosjes së sinjalizimit kur edhe do të ketë prani më të shtuar të policisë në atë pjesë që do të vendos rregull më të madh.
“Efektet e para pritet të jepen pasi që të vendoset sinjalizimi vertikal dhe vozitësit të respektojnë ato shenja. Mund të ketë një periudhë kur edhe do të jetë test periudha derisa vozitësit të mësohen dhe më pas do të hyjë në fuqi edhe me ndëshkime për ata që nuk do të respektojnë të njëjtat shenja. Nga ana e komunës presin që policia të jetë në detyrë dhe të marrë masa më të rrepta, ngase për këta rrugë vet iniciatore ka qenë policia rrugore që të shpallen njëkahëshe. Ne presim që vet policia të jetë më shumë prezente, sepse ata kanë kërkuar që listës së rrugëve njëkahëshe tu bashkëngjiten edhe këta rrugë dhe ne jemi pajtuar dhe jemi dakorduar se me të vërtetë në atë pjesë ka nevojë që rrugët të jenë njëkahëshe”, sqaroi Elmir Mustafai nga Sektori për Komunikacion në Komunën e Tetovës.
Sipas informacioneve të deritanishme, kjo pikë e rendit të ditës njëherë është hjekur nga rendi i ditës për shkak të konsultimeve shtesë me policinë.
“Me shpalljen e këtyre rrugëve njëkatëshe, dukshëm do të shkarkohet regjimi i zhvillimit të komunikacionit në ato rrugë. Ndryshimet në regjimin e komunikacionit të rrugëve nga nenin 1 i këtij Vendimi si rrugë njëkahëshe do të jenë të karakterit të përkohshëm, deri në realizimin e planeve detale urbanistike në ato rrugë” thuhet në propozim vendimin e miratuar në seancën e fundit të këshillit të komunës së Tetovës. Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, kohë më parë në një përgjigje me shkrim për gazetën Koha, kishte theksuar se ata do të vlerësojnë se cila rrugë pas rikahëzimit mund të ndikojë në sigurinë e përgjithshme në komunikacionin rrugor në pajtim me rregullativën ligjore dhe do të mundësojë qarkullim më të lirshëm.

