Shitësit përgjatë tregut të Bit Pazarit, të cilëve nga autoritetet lokale u është kërkuar të dislokohen në një lokacion tjetër, kanë dorëzuar peticion te autoritetet e Qytetit të Shkupit me kërkesën që të mbeten aty derisa të rregullohet tregu i ri.
Ata për TVM-2 thonë se mirëpresin rinovimin e tregut të Bit Pazarit, por vendi ku u kërkohet të dislokohen nuk ofron kushte për shitje, prandaj insistojnë t’u lejohet të vazhdojnë shitjen në trotuar derisa të rregullohet tregu i ri.
“Tezgën e kam pasur dhe e kam paguar rregullisht 20 vjet. Por, tani me ndërtimin e tregut të ri ma kanë marrë, unë kam dalë këtu jashtë të punoj, e tani edhe prej këtu na largojnë”,– u shpreh një tregtar.
“Ne kërkojmë të na gjejnë vend të përshtatshëm për të shitur, por realisht vend tjetër nuk ka. Një vjet e më shumë që kanë filluar punimet e para ndërtimore, por ende nuk është gati. Ne nuk mundemi të shkojmë prej këtu te Kalaja e Shkupit ose në lokacion tjetër më larg. Ne 20 vjet shesim mall këtu dhe përfaqësuesit duhet të na gjejnë zgjidhje në kuadër të këtij rrethi”,– theksoi një tregtar.
“Padyshim se duhet të ketë tolerim derisa ndërtohet tregu i ri i Bit Pazari. Së paku 2 ose 3 muaj të na lejojnë të punojmë këtu dhe mandej do të hyjmë nëpër vendet tona që i kemi pasur më herët në treg dhe kjo është zgjidhje më e mirë”,– tha një tregtar.
“Vendi më i përshtatshëm është ky vend ku jemi. Unë tjetër vend nuk di. Në qoftë se ata dinë ndonjë vend më të mirë, le ta na tregojnë, ta dimë”,– u shpreh një tregtar.
“Patjetër të shesim këtu. Nuk kemi vend tjetër ku të punojmë”,– theksoi një tregtar.
Në trotuaret përgjatë tregut të Bit Pazarit shumë tregtarë punojnë me vite. Një pjesë e madhe e tyre janë shitës të luleve. Autoritetet e qytetit të Shkupit thonë se dislokimi i tyre është i përkohshëm, pasi ata do të kthehen në tregun e ri të Bit Pazarit. Megjithatë, sqarojnë se me tregtarët po përpiqen të gjejnë zgjidhjen më të mirë për të dyja palët për të kaluar periudhën e ndërtimit të tregut.
“Për momentin jemi në bisedime me shitësit, me qëllim të dislokimit të shitësve jolegalë. Qyteti po mundohet që dislokimi i tyre të bëhet në bashkëpunim me shitësit. Në qoftë se nuk arrihet marrëveshje, atëherë do të fillojmë me aksionin për dislokimin e tyre. Në bisedimet me shitësit duam të potencojmë se atyre u janë ofruar përparësi (tezga me kushte të volitshme brenda në treg). E gjithë kjo bëhet që Qyteti i Shkupit të mundet lirisht të fillojë me rekonstruimin e trotuarit me taksi-stacion të ri, shteg të drunjve, shtylla, si dhe rekonstruimin e ndriçimeve dhe pasazheve”,– thuhet në komunikatën e Qytetit të Shkupit.
Projekti për modernizimin e tregut të Bit Pazarit filloi muajin e kaluar dhe i njëjti pritet të përfundojë pas 14 muajve. Siç është paraparë, do të vendosen 1.000 tezga të reja, do të rinovohet rrjeti i kanalizimit dhe ujësjellësi, do të mbulohet e gjithë tregu dhe do të ketë parking montues me kapacitet prej 230 vendparkime.