Neymar rikthehet në Santos në vitin 2025. Lajmi i bujshëm vjen nga Brazili, teksa shkruhet se O’Ney u ka komunikuar këtë vendim shokëve të ardhshëm të skuadrës. Aktualisht kartoni i sulmuesit zotërohet nga Al-Hilal, por me arabët, 32-vjeçari ka luajtur vetëm 3 ndeshje.
Në bazë të asaj që bëhet e ditur, Braziliani ka zbuluar se në vitin 2025, kur i skadon kontrata me Al Hilal, ai do të rikthehet te Santos, klubi ku hodhi hapat e parë në karrierë dhe ra në sy me paraqitjet e tij, duke fituar Copa Libertadores në 2011.
Në të kaluarën, Neymar nuk e ka fshehur kurrë dëshirën e tij për t’u rikthyer te Santos para se të përfundojë karrierën e tij. Futbollisti ka luajtur për këtë ekip nga viti 2011 deri në vitin 2013. Më pas, lojtari u transferua te Barcelona, për të kontribuar më vonë për PSG.
(J.S/BalkanWeb)