Nga e marta rikthehen tendat përballë Kuvendit, në të cilat prindërit dhe fëmijët me nevoja të veçanta do të qëndrojnë për tre ditë radhazi për të ripërsëritur kërkesat e tyre që kanë të bëjnë me disa ndryshime në ligjin për mbrojtje sociale, atë për Shëndetësi dhe për Arsim. Nga iniciativa “5 në 12” thonë se nesër do jenë në takim me ministren e Punës Sociale Milla Carovska, ndërkaq presin nga ministri i Shëndetësisë Arben Taravari dhe ajo e Arsimit Deskoska që t’i vizitojë gjatë ditëve të ardhshme.
Le të na shohin të gjithë ata që janë në Parlament dhe t’i vendosin kërkesat tona si prioritet. I bëjmë thirrje opinionit që të na mbështes. Nesër do kemi mbledhje me ministren e Punës Sociale, ndërkaq në dy ditët e ardhshme iu bëjmë thirrje dy ministrive tjera, asaj të Shëndetësisë dhe të Arsimit që të vijnë apo të na thërrasin që të gjejmë gjuhë të përbashkët. Nuk kemi më kohë, shtatori është shumë afër, ndërkaq sistemi arsimor duhet të reformohet komplet për këta fëmijë- tha Suzana Stojanovska, “5 në 12”.
Nga shoqata “Rast” e cila është pjesë e kësaj iniciative qytetare për ndryshime ligjore, iu bëjnë thirrje gjithë qytetarëve në rast se kanë nevoja të caktuara në këtë fushë, t’i paraqesin.
Apeloj deri tek të gjithë qytetarët dhe shoqatat qytetare që të japin idetë e tyre për plotësimin e kësaj iniciative për ndryshime ligjore në periudhën e ardhshme, ta kontaktojnë iniciativën 5 në 12 që kjo iniciativë të jetë e vlefshme për të gjithë personat me nevoja të posaçme- tha Aleksandar Petrovski, nga shoqata “Rast”.
Prindërit dhe fëmijët me nevoja të posaçme për të tretën herë me radhë vendosin tendat dhe qëndrojnë me ditë përpara Kuvendit për të kërkuar jetë më të mirë për të afërmit e tyre. Një grup i OJQ-ve përmes peticionit ka siguruar 10.000 nënshkrime që pritet që të dorëzohet në Parlament ditëve të ardhshme. Ndër kërkesat e shumta të kësaj iniciative janë: hapja e qendrave ditore, kushte më të mira nëpër shkolla dhe spitale dhe themelimi i dikaster të veçantë “Avokat i Popullit” i cili do t’i mbroj interesat e personave me nevoja të posaçme. Ish ministrja e Punës Sociale Frosina Remenski më herët pati premtuar ndryshime në gjashtë muajt e parë të Qeverisë së re, kurse përmes një komunikate me shkrim para formimit të Qeverisë, edhe LSDM u zotua për plotësimin e kërkesave të këtyre personave.
Vjollca Aliti

