Këta trupa civilësh të pajetë në sheshet e pallateve të banimit në Harkiv janë një tjetër dëshmi e krimeve makabre që po kryejnë rusët në Ukrainë. Ata humbën jetën pas një sulmi me predha nga ushtria ruse në qytetin lindor të Ukrainës, gjatë të Dielës. Autoritetet numërojnë deri më tani 23 të vdekur mes të cilëve edhe fëmijë. Banorët e njërit prej bllokqeve të pallateve në periferi të Harkivit që u godit nga predhat rrëfejnë momentet e tmerrit që përjetuan nga bombardimet.
“Në fillim u dëgjua një shpërthim i madh. Na u thyen xhamat, gjithçka nisi të bjerë. Unë dhe familjarët e mi vrapuam drejt korridorit për të qenë më të sigurtë”.
Bombardimet mbi Harkiv u rikthyen gjatë orëve të fundit, teksa rusët kanë ndryshuar strategji lufte pas disfatës së deritanishme. Ata janë përqëndruar në marrjen e kontrollit të zonave lindore dhe jugore.
Luftime të ashpra po zhvillohen edhe në Mariupolin jugor, pika më e rëndësishme për krijimin e një korridori tokësor që lidh krimenë me republikat separatiste të Luhanskut e Donjeckut.
Qyteti është shndërruar në gërmadhë në pjesën më të madhe, çka dëshmon edhe një herë kundërpërgjigje barbare ruse ndaj rezistencës së vendosur që po i bëjnë banorët vendas dhe ushtria ukrainase. Mariupoli ka bilancin më të rëndë, me rreth 5 mijë të vrarë që nga 24 Shkurti dhe mbi 2/3 e banorëve të larguar, sipas të dhënave të palës ukrainase.
Kievi njoftoi këtë të Hënë se numri i ushtarëve rusë të vrarë në 40 ditë luftime, ka arritur në 18,300. Mbi 4 milionë ukrainas janë larguar drejt vendeve europiane. Miliona të tjerë janë zhvendosur brenda Ukrainës, drejt zonave të sigurta.