Alsat 2019-08-19T14:40:36+02:00
Rikonstruimi i disa rrugëve të kryeqytetit ka paralizuar thuajse tërësisht komunikacionin. Që në orët e mëngjesit nëpër rrugët e Shkupit nuk dëgjohet asgjë më shumë se sa boritë e makinave të bllokuara. Drejtuesit e makinave shprehen të revoltuar me gjendjen ndërsa kërkojnë nga Qyteti i Shkupit përshpejtimin e punimeve.
“Rrëmujë, për askund është gjendja. Gjysmë ore 300 metra s’mundemi t’i kalojmë. Vijë nga Panairi për të shkuar te Beko”.
“Për 20 minuta me radhë po qëndroj këtu. Prej te Kontinentali e deri këtu, më shumë se 20 minuta jemi. Puna nuk pret”.
Si pasojë e këtij kaosi edhe shumë linja të autobusit nuk arrijnë në kohë nëpër stacione, gjë që shkakton shumë revoltë tek qytetarët.
“Gjysmë ore po pres, shkoj atje te stacioni, autobusi ndalon këtu shëtitmi andej këndej. Ku të ankohem? Tek të vdekurit vetëm.. Asgjë nuk funksionon në shtet, vetëm gënjeshtra”.
“Ka një orë që po pres autobus, 9-shen. Nuk shkova atje te stacioni, nuk lejojnë, po punojnë ndërtojnë rrugën”.
Qyteti i Shkupit kërkon nga qytetarët që të kenë mirëkuptim derisa zgjasin punimet, si dhe të respektojnë sinjalizimin rrugor.
Me këtë rikonstruim do të ndërrohet asfalti i vjetër dhe i dëmtuar. Qyteti i Shkupit bën lutje për mirëkuptim deri te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion si dhe udhëzon ata që ta respektojnë sinjalizimin rrugor në bazë ditore dhe t’i ndjekin informacionet për regjim të përkohshëm në komunikacion të cilin e publikon Qyteti i Shkupit – thonë nga Qyteti i Shkupit.
Për momentin gjendja më kaotike në komunikacion paraqitet tek udhëkryqi i kompleksit të Gjykatave, deri në rrugën që kalon nga Bit Pazari. Sipas paralajmërimeve punimet pritet të përfundojnë në afat prej 60 ditëve, ndërsa projekti Qytetit të Shkupit i kushton rreth 20 mln. denarë.
Vjollca Aliti
Loading…



