Propozimi plotësues për ndryshime dhe plotësime të Buxhetit për vitin 2025 është në rend dite si pikë e parë e seancës së nesërme të 62-të të Kuvendit, informon në brifingun e sotëm me gazetarët kryetari i Kuvendit Afrim Gashi. Debti për ribalancin plotësues mund të zgjasë pesë ditë.
Seanca, siç thuhet në ueb faqen e Kuvendit, është planifikuar të fillojë në orën 11:00. Në rend dite të kësaj seance janë edhe Propozimi i llogarisë përfundimtare të Buxhetit për vitin 2025, me procedurë të shkurtuar, Propozim-vendimi për dërgimin e pjesëtarëve të Armatës për pjesëmarrje në operacionin ndërkombëtar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara “UNIFIL” në Liban dhe Propozim-ligji për institucionet për arsimin e mesëm të bashkësive fetare – në lexim të parë.
Ribalanci plotësues i Buxhetit më 17 korrik ishte miratuar në seancë qeveritare dhe me të sigurohen mjete shtesë për Ministritë e Transportit, Politikës Sociale dhe për Arsim dhe Shkencë.
Siç njoftoi atëherë Ministria e Financave, bëhet fjalë për rreth gjashtë milionë denarë për dokumentacionin e projektit për një rrugë të re në komunën e Kumanovës në Buxhetin e Ministrisë së Transportit, 50 milionë denarë shtesë për pagesën e ndihmave sociale në buxhetin e Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, si dhe pesë milionë denarë për Universitetin “Goce Dellçev” në Buxhetin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
“Me propozimin plotësues të miratuar nga ana e Qeverisë janë siguruar mjete për përdorues të caktuar të buxhetit me qëllim që të kryejnë rregullisht pagesat e tyre, d.m.th., përmes rialokimeve, janë rritur mjete për përdorues të caktuar të buxhetit, ndërsa njëkohësisht janë zvogëluar mjetet nga përdorues të caktuar të buxhetit, me qëllim që shpenzimet të jenë në përputhje me zbatimin dhe pritjet aktuale deri në fund të vitit. Ndryshimet shtesë kanë të bëjnë edhe me mjete shtesë për pagat, si dhe për shërbimin e detyrimeve. Ndryshimet dhe plotësimet e Buxhetit të vitit 2025 ndjekin prioritetet themelore të politikës fiskale, të cilat synojnë vazhdimin e konsolidimit fiskal, sigurimin e stabilitetit makroekonomik dhe stimulimin e zhvillimit, pa ndryshim në projeksionin e nivelit të deficitit buxhetor”, thonë nga Ministria e Financave.
Shpenzimet e përgjithshme me ribalancin janë projektuar në një nivel prej 362.4 miliardë denarë ose rreth një për qind më shumë se Buxheti, përkatësisht për rreth 3.5 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet totale janë planifikuar në një nivel prej 403.7 miliardë denarë dhe shënojnë një rritje prej rreth 1 për qind, ose rreth 3.5 miliardë denarë. Shkalla e rritjes mbetet 3.7 për qind, ndërsa inflacioni është projektuar në 2.8 për qind, ndërsa shkalla e papunësisë është planifikuar në 11.1 për qind.
“Me ribalancin e propozuar bëhet rialokimi i mjeteve midis përdoruesve të buxhetit, sigurohen mjete shtesë për pagesën e pandërprerë të pagave, kryesisht në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku është parashikuar një rritje prej 10 përqind e pagave të punonjësve. Gjithashtu, janë siguruar mjete shtesë për pagesën e pensioneve të rritura dhe kostove të tranzicionit, si dhe rreth 300 milionë denarë shtesë për shpenzime kapitale”, theksojnë nga Ministria e Financave.
Shpenzimet kapitale janë planifikuar në shumën prej 47.4 miliardë denarësh dhe siç u tha nga Ministria e Financave, janë në drejtim të shtimit të mjeteve për dinamizimin e realizimit të projekteve tek të cilat tashmë është konfirmuar realizimi i mirë, para se gjithash në Ministrinë e Mbrojtjes.
“Vazhdon mbështetja financiare dhe bashkëpunimi i Qeverisë me komunat, për të cilat paraprakisht me Rishpërndarjen e miratuar të mjeteve mes shfrytëzuesve buxhetor janë siguruar 584 milionë denarë shtesë. Qëllimi përfundimtar i ndryshimeve dhe plotësimeve të Buxhetit për vitin 2025 është kryerja e pandërprerë e Buxhetit dhe mbajtja e nivelit identik të deficitit buxhetor të planifikuar me Buxhetin fillestar, përkatësisht deficiti buxhetor mbetet i pandryshuar dhe në vlerë absolute dhe si përqindje e PBB-së, përkatësisht 41,3 miliardë denarë ose 4 për qind e PBB-së”, qëndron në kumtesën e MF-së.