Projektit për revitalizimin e Çarshisë së Vjetër të Shkupit të filluar vite më parë akoma nuk i shihet fundi. Qytetarët dhe zejtarët për Alsat thonë se nuk e ndjejnë “revitalizimin” dhe se ka ende shumë për t’u bërë.
“Jo, jo nuk është gjallëruar aspak, vetëm që është e vdekur faktikisht. Përparësi, asgjë nuk ka. Është shumë dobët. Asnjë projekt në Çarshi si duhet nuk është.”
“Ndjehet. Mund të kaloni dhe të shihni se shumë dyqane janë renovuar. Patjetër duhet të rregullohet situata, pasi ka shumë turistë që vijnë këtu.”
“(A e ka Çarshia gjallërinë që e ka pasur dikur?) Jo, nuk e ka. Ka shumë arsye. (Për shembull?) Për shembull rregullimi i rrugëve, ndriçimi, sigurimi, motorat, biçikletat.”
“Ka Çarshia shumë gjëra që duhet të realizohen. Por jo vetëm ashtu shpejtë e shpejtë si një frymë të realizohen”
Nga ana tjetër, nga Komuna e Çairit thonë se bashkë me Ministrinë e Kulturës dhe atë të Ekonomisë kanë ndërmarrë aq masa, sa që gjallëria është e dukshme.
“Ky proces filloi me koncentrimin e një numri të madh të studentëve përmes universiteteve të vendosura në këtë zone, për të vazhduar pastaj me projekte infrastrukturore me ruajtjen e konceptit të autenticitetit si: renovimin e kalldërmës; ndërtimin e info qendrës përmes fondeve IPA, vendosjen e dy kompjuterëve informues statik;hapjen e teatrit për fëmijë, vendosjen e ndriçimit autentik; vendosjen e shtyllave hidraulike për pengimin e qarkullimit të veturave brenda Çarshisë së Vjetër; renovimin e objektit të Jigit Pashës; vendosjen e përmendores së Skenderbeut; ndërtimin e sheshit Skenderbeu dhe shumë të tjera – thanë nga Komuna e Çairit.
“Ministria e Ekonomisë në bazë të Programit për zhvillim të turizmit zbaton projektin për rregullimin e bllokut 3.2 që ka gjithsej 60 dyqane. Në fazën e parë janë rregulluar 10 dyqane. Tani janë në përfundim e sipër edhe 43 dyqane. Me përfundimin e kësaj faze Ministria e Ekonomisë do të vazhdoj edhe me fazën e tretë, me të cilën do të përfshihet e gjithë Çarshia dhe për 200 dyqane do të ndahen 30 milion denarë.
Mendojmë se deri në fund të vitit do ta përfundojmë këtë projekt – u shprehen nga Ministria e Ekonomisë.
Kryetari i Shoqatës së Zejtarëve “Esnafi”, Bejtulla Morina thotë se gjithsesi rregullimi i vitrinave nuk mjafton që Çarshia e Vjetër të ngjallet.
Për të ardhur deri te ajo që Çarshia të ngjallet një herë duhet të pastrohet përreth komplet Çarshia nga shitësit e egër. (4:00-4:30) Konkurrenca jolojale e ka shkatërruar çarshinë. E dyta është ndihma nga pushteti, projekte të ndryshme për t’i mbështetur zejtarët që të mund të zhvillohen në ato synimet e tyre. Duhet pikë së pari subvencione, duhet mbështetje, duhet trajnime, duhet një odë e zejtarëve që do të kujdeset për Çarshinë komplet, deklaroi Bejtulla Morina, kryetar i Shoqatës së zejtarëve “Esnafi”.
Morina tha se duhet të kufizohet dhënia e licencave për hapje të dyqaneve në Çarshi dhe urgjentisht t’u vendoset tarifë më e lartë prodhimeve kineze.
Anesa Aliti