24 April
Temperaturat e ulëta të ditëve të fundit kanë shkaktuar katastrofë të vërtetë në Prespë. Mollët janë shkatërruar thuajse 99%. Rreth 5 mijë bujq nga ky rajon tani presin vetëm mëshirën e shtetit i cili duhet t’ua kompensojë dëmet e shumta. Televizioni Alsat qëndroi sot në fshatin Nakolec, ku më shumë se 70 familje merren me kultivimin e mollëve në një sipërfaqe prej rreth 300 hektarë. Disa dëmet i vlerësojnë madje deri në 40 mijë euro, varësisht sipërfaqeve me mollë.
Banorët e Nakolecit thonë se këtë vit mollë nuk do ketë as për të ngrënë, e jo më për shitje. Por shpenzimet për mirëmbajtjen e kopshteve të pemëve do të mbeten. Ata thonë se vetëm për një hektarë, shpenzimet e tyre në nivel vjetor sillen në më shumë se 3 mijë euro.
Bujqit nuk besojnë se do të marrin ndonjë ndihmë nga shteti, pasi siç thonë, qeveria as dëmet e vitit të kaluar nuk i ka kompensuar.
Mos-pagesa e dëmeve të vitit të kaluar, ka vështirësuar jetën e pemëtarëve të Resnjës prandaj duhet të gjendet kërkojmë zgjidhjen e problemit. Nëse kjo nuk ndodhë deri në muajin maj-qershor dhe të paguhen kompensimet dhe subvencionet, shumë fëmijë do i braktisin shkollat, studimet dhe punët e tyre – thotë Zdravko Lazareski, banor i Nakolecit.
Nuk e dimë si do jetojmë. Ende nuk ka ardhur askush. Dëgjuam se duhet të vijnë, por a do vijnë nuk e dimë. Ja, kaluan katër ditë – thotë Jove Naumoski, banor i fshatit Lubojno.
Në pyetjen e Alsat, përse bujqve ende nuk u janë paguar dëmet e vitit të kaluar, zëvendësministri i bujqësisë thotë se pagesat janë duke u realizuar.
Deri tani janë paguar rreth 3 milionë euro dhe kanë përfunduar vlerësimet për pemëtarinë. Sipas procedurës, një grup brenda dikasterit bën pastrimin e listës. Ashtu si i marrim raportet edhe nga Byroja për ekspertiza gjyqësore në pjesën e vlerësimeve, të njëjtat i dorëzojmë në Agjencinë pagesore. Në këtë periudhë nuk ka kurrfarë pengesa për pagesën e dëmeve – deklaroi Vanço Kostadinovski, zëvendësministër i Bujqësisë.
Ndryshe, në territorin e Prespës më shumë se 90% e sipërfaqeve të mbjella me mollë janë shkatërruar. Disa thanë se nëse nuk marrin kurrfarë ndihme, si opsion të fundit kanë prerjen e mollëve.
Miki Trajkovski