Në fazën e parë të fillimit të krizës, masat për ruajtjen e vendeve të punës kanë sjellë deri tek mungesa nga vendi i punës, por jo edhe përjashtim të të punësuarve. Kishte edhe individë që nuk mundeshin të gjejnë punë, apo nuk kishin mundësi të punojnë për shkak të kufizimeve në qarkullim, me çka nuk llogariten për të papunë.
Zyra Evropiane e statistikave – EUROSTAT-i, po regjistron rritje të mungesës nga puna dhe uljen e orëve efektive të punës në tremujorin e parë të vitit 2020, apo përgjatë periudhës janar-mars të këtij viti. Si rrjedhojë e pandemisë me KOVID-19, në tremujorin e parë të këtij viti, EUROSTAT ka regjistruar jo vetëm ulje të orëve të punës dhe mungesë më të madhe nga puna e të punësuarve, por jo edhe rritje të papunësisë. Sipas raportit të EUROSTAT-it, në tre muajt e parë të këtij viti, tregu i punës në shtetet e Bashkimit Evropian është goditur nga masat për luftimin e pandemisë që kanë ndërmarrë shtetet anëtare të BE-së. “Punësimi dhe papunësia siç janë definuar sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, nuk e përshkruan gjendjen momentale në tregun e punës. Në fazën e parë nga fillimi i krizës, masat për ruajtjen e vendeve të punës kanë sjellë deri tek mungesat në vendet e punës të punëtorëve, por jo edhe lëshimin nga puna. Kishte edhe individë që nuk mund të kërkonin punë, ose nuk ishin të disponueshëm për punë për shkak të kufizimit të lëvizjes, andaj edhe nuk mund të llogariten si të papunë konform konceptit të Organizatës Botërore të Punës”, thonë nga EUROSTAT.
Hulumtimi i tyre më tej shpalos edhe treguesit shtesë që ndihmojnë të sqarohen lëvizjet më të reja në tregun e punës. Këto tregues shtesë kanë të bëjnë me rënien totale apo të përgjithshme në tregun e punës, që i përfshin të gjitha personat që kanë nevojë për punësim, si dhe përfshin edhe personat që punojnë me orar të shkurtuar të punës, por që do të dëshironin orë shtesë punë, ose shpjegon edhe mungesat në punë për shkaqe nga më të ndryshmet, shtojnë nga EUROSTAT. Sipas të dhënave zyrtare, në tremujorin e parë të vitit 2020, në BE kanë qenë të angazhuar në marrëdhënie pune 190.9 milionë njerëz. Njëherësh shkalla e punësimit ka qenë 73.3 për qind, apo e pandryshuar në raport me tremujorin e katërt të vitit 2019, ndërsa është rritur për 0.3 për qind apo në raport me 73 për qind në tremujorin e parë të vitit 2019. Në tremujorin e parë të këtij viti, EUROSTAT ka regjistruar 12.8 milionë persona të papunë dhe shkallë të papunësisë prej 6.3 për qind, që paraqet një ulje prej 6.4 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2019 dhe ulje prej 6.7 për qind në tremujorin e parë në 2019-ën.
Në BE, rënia totale në tregun e punës është regjistruar në 16 shtete, është ulur në nëntë shtete, dhe ka mbetur në nivele të njëjta në Bullgari dhe Spanjë. Në Gjermani, Estoni, Lituani, Luksemburg, Hungari, Austri, Slloveni, Sllovaki, Finlandë dhe në Suedi, është zvogëluar totali i tregut të punës, por njëkohësisht është ulur edhe papunësia, përderisa është rritur përqindja tregut të punës. Në tremujorin e parë të vitit 2020, gjithsej 22.9 milionë persona kanë munguar në vendet e punës, që paraqet rritje për 4.3 milionë në raport me tremujorin e katërt të vitit 2019. “Ndër shtetet anëtare për të cilat disponohet me të dhëna, shkallët më të larta të mungesës në vendet e punës në tremujorin e parë të vitit 2020, janë regjistruar në Francë me 18.1 për qind. Pastaj në Suedi me 16.2 për qind, në Austri me 15 për qind. Në raport me tremujorin e katërt në vitin 2019, të gjitha shtetet anëtare me përjashtim të Finlandës, kanë shënuar rritje të totalit të mungesave nga puna”, thonë më tej nga EUROSTAT, ndërsa shtohet se po shënohet edhe ulje e totalit të orëve të punës të realizuara në tremujorin e parë të vitit 2020, në raport me tremujorin e katërt të vitit 2019, por jo edhe aq shumë në raport me uljen e shënuar përgjatë krizës së borxheve para 12-13 vitesh. Apo me fjalë të tjera – kriza e borxheve që nga SHBA-të u derdh në tërë botën, pati ndikim më të madh negativ, së paku për këtë periudhë në orët e realizuara të punës në raport me krizën e pandemisë.
THIRRJE PËR NDIHMË SHTETËRORE
Tek të gjitha shtetet anëtare të BE-së, po shënohet ulje e totalit të orëve të punës, ku ulje më e madhe po shënohet në Itali me minus 9.7 për qind, në Sllovaki me minus 8.7 për qind dhe në Austri me minus 7.9 për qind. Lëvizje të ngjashme në periudhën e kaluar janë regjistruar edhe në Maqedoni, ku me vendimin e Qeverisë, për shkak të përhapjes së koronavirusit, u ndërmorën më shumë masa për mbrojtjen e popullatës. Një pjesë e masave ishin edhe lirimi nga puna e prindërve me fëmijë deri më 10 vjeç, për shkak të mbylljes së çerdheve dhe shkollave, si dhe lirimit të sëmurëve kronik dhe grave shtatzëna. Masa të tilla gjithashtu kanë krijuar edhe një gjendje ku personat edhe më tej mbeten të punësuar, edhe pse nuk marrin pjesë në proceset e punës. Në ndërkohë, kompanitë në vend të orientuara në eksport dhe më të goditura nga kriza e pandemisë kërkojnë një mbështetje më të madhe dhe të targetuar nga ana e shtetit për të shpëtuar vendet e punës.
“Gjendja udhëzon se edhe në muajt e ardhshëm do të goditet prodhimtaria. Po rritet edhe numri i kompanive që për shkak të humbjes së të ardhurave, nuk do kenë mundësi të vazhdojnë me punë dhe të mbajnë të punësuarit. Nëse dëshirojmë që të kemi numër më të vogël të firmave që do të shpallin falimentim, është e domosdoshme ndihma e shtetit. Ajo duhet mirë të analizohet dhe të ketë kritere që do të mundësojnë që atë ta fitojnë firmat më të goditura”, thotë numri një i Organizatës së Punëdhënësve, Angel Dimitrov. Sipas tij, thirrjet e disa “majtistëve”, që të mos lëshohen punëtorët nga puna – janë budallallëk, për shkak se punëdhënësit që do të humbin prodhimtarinë dhe do të mbesin pa punë, nuk do të mund ti mbajnë punëtorët. Ai shton se vauçerët që po ndahen për blerjen e prodhimeve vendore dhe përkrahja për produktet vendore, do t’ju ndihmojë kompanive që i shesin prodhimet e tyre në tregun vendor, mirëpo nuk do t’ju ndihmojnë kompanive që i shesin prodhimet e tyre në tregjet e jashtme. (koha.mk)



