Biologu Ethem Ruka, njëherësh rektor i Universitetit “Luarasi” ka promovuar librin për fëmijë “Kafshët rrëfejnë”. Në të, ai i prezanton të vegjlit me kafshët e ndryshme që jetojnë ose kanë jetuar në tokë duke përhapur edhe mesazhe ndërgjegjësimi për mjedisin.
Profesor Ethem Ruka ka promovuar në Cod në kryeministri, librin për fëmijë “Kafshët rrëfejnë” me kuriozitete nga bota magjike e kafshëve. Profesori, rektor i Universitetit Luarasi dhe biolog i njohur u prezantoi fëmijëve kafshët që jetojnë ende në tokë dhe kafshët e zhdukura me një zë dhe rrëfim që bashkonte gjyshin dhe profesorin.
“I keni parë shkëmbinjtë e mëdhenj nëpër male? Ata janë historia e tokës. E dini pse? Sepse aty ruhen fosilet e gjurmët e jetës dhe aty mund të studiojmë e të shikojmë se si ka vazhduar jeta nga një milionë vite në një mijëvjeçar tjetër”, tha Ruka para fëmijëve.
Më një gjuhë të thjeshtëzuar e të kuptueshme, duke ju përshtatur botëkuptimin fëminor, Ruka, në fjalën e tij u përpor të ndërgjegjësonte të vegjlit për ruajtjen e mjedisit dhe rreziqet që i kanosen nga njeriu dhe pakujdesia e tij.
“Duhet ta duam mjedisin. Duhet të shqetësohemi kur shikojmë, një njeri që hedh një letër në bulevard apo një bisht cigareje. Kafshët kanë sfiduar gjithçka, akullin, të ftohtin, të nxehtin e shkretëtirës, ujërat e thella ku ka errësirë. Kudo ka jetë. Planeti ynë toka, është plagosur disa herë. Herë është mbuluar me akull, herë akujt janë tërhequr pas. Dhe kontinentet që keni nisur ti mësoni, dikur nuk kanë qenë si sot”, tha Ruka.
Kafshë e shpendë por edhe insekte, vijnë të rrëfyera përmes informacionesh të qarta e të thjeshta, të shoqëruara me imazhe, që sa i edukojnë edhe u japin njohuri fëmijëve.