Alsat 2019-07-16T19:00:11+02:00
Prokuroria Speciale nuk është Katica Janeva. Kjo është porosia të cilën deshën ta përcjellin prokurorët specialë, pasi që Katica Janeva u ndërlidh me rastin “Reket”, ku i dyshuar është personi kontrovers Bojan Jovanovski i njohur në opinion si Boki 13. Në emër të prokurorëve foli Lençe Ristovska. Ndonëse gazetarët këmbëngulën, ajo nuk dha përgjigje të saktë nëse distancohen nga shefja e tyre dhe afera me të cilën ajo ndërlidhet me shantazhuesit tashmë të dyshuar, të cilët kanë zhvatur para nga biznesmeni Orce Kamçev.
Lençe Ristovska, prokurore Speciale
G: Do të thotë distancoheni nga ajo?
“Siç thash edhe më parë ne bëjmë thirrje që të gjitha zhvillimet që janë aktuale, të qartësohen më mirë meqë kjo është në interesin tonë, në emër të institucionit dhe në emër të të gjithëve. Më duhet të bëj thirrje për respektimit të parimit të prezumimit të pafajësisë”
Katica Janeva sot nuk ishte në punë. Kolegët e saj sigurojnë se dje kanë mësuar se do të japë dorëheqje por edhe se kolegë prokurorë ia kanë marrë telefonin, për të kontrolluar nëse ka komunikuar me Boki 13.
Sot personalisht nuk kam kontaktuar me prokuroren speciale lidhur me dorëheqjen, pak para se të publikohet në faqen tonë të internetit, do të thosha në të njëjtën kohë na u bë e ditur të gjithë neve- tha Lençe Ristovska, prokurore Speciale.
Prokuroria Speciale porositi se skandali nuk duhet ta rrënojë këtë institucion.
Unë ndjehem si dëm kolateral, meqë i tërë veprimi im ka qenë në pajtim me ligjet- u përgjigj Lençe Ristovska, prokurore Speciale.
Më këmbënguljen e gazetarëve para kamerave u ndal edhe Lile Stefanova, prokurore e cila hetonte pastrimin e parave në rastin “Perandoria”. Stefanova siguroi se nuk ka nënshkruar asnjë dokument me të cilin nga paraburgimi do të liroheshin Orce Kamçev, Sasho Mijallkov dhe të dyshuarit e tjerë.
Në përputhje me Ligjin për PSP-në të gjitha vendimet që do të dalin nga kjo Prokurori i nënshkruan vetëm prokurorja Speciale, Katica Janeva. Unë nuk kam nënshkruar asnjë vendim, as mendimet për lirimin nga paraburgimi në arrest shtëpiak, e as vendimin për dhënien e dokumenteve për udhëtim- pohoi Lile Stefanova, Prokuroria Speciale.
Një natë më parë me urdhër të Prokurorisë për Krim të Organizuar, policia arrestoi Bojan Jovanovskin, i njohur si Boki 13 dhe Zoran Milevski- Kiçeec. Që të dy dyshohen se kanë marrë 1.5 milionë euro nga biznesmeni Orce Kamçev për ta ndërprerë hetimin e Speciales për “Perandorinë”. Katica Janeva mbeti pa celular. Prokuroria ia mori telefonin ndërsa gjykata Bojan Jovanovskit dhe Zoki Kiçeecit u shqiptoi 30 ditë paraburgim.
Nuk ka para të shënuara, por kemi regjistrime. Po, edhe të bisedave edhe regjistrime vizuale- tha Vilma Ruskoska, prokurore.
Në momentin derisa Ruskoska jepte deklaratë, policia mori urdhër që ta dërgojë Bojan Jovanovskin në SHtukë.
… kërkoj ndjesë që ju ndërpres përderisa flitni gënjeshtra….
Hetimi për reket, të cilin e hapi Prokuroria për Krim të Organizuar deri tani i dyshon Bojan Jovanovskin, i cili paraqitet si pronar joformal i televizionit 1TV dhe Zoran Milevskin. Përveç celularit të Katica Janevës, prokuroria ka sekuestruar kompjuterë, usb si dhe veshje luksoze. Kallëzimin për reket në Prokurori e ka paraqitur biznesmeni Orce Kamçev i dyshuar në rastin “Perandoria” për pastrim parash.
Bojan Stojanovski
Loading…



