Alsat 2020-05-07T19:42:58+02:00
Bojan Jovanovski në mbrojtjen e tij pohon që nuk e ka ditur çfarë ka pasur çantë dhe se nuk i ka parë paratë, ndonëse Prokuroria thekson që brenda ka pasur një shumë prej 1 milion euro. Boki 13 në seancën e sotme për rastin “Reket” tha se në hapësirë tjetër kanë qenë Zoran Milevski Kiçeec dhe Orce Kamçev derisa ai i ka pritur. Më pas kanë ardhur me çantën në dorë. Ai fillimisht nuk e ka vërejtur kurse u shpreh se as që e ka prekur.
Orce Kamçevit nuk mund t’ia marrësh 50 denarë e lëre më 1,5 milionë euro. Atë ditë, Zoran Milevski rreth orës 11-12 erdhi tek unë në shtëpi, piu kafe dhe u largua. Më tha se do të shkojmë te Orce të pimë kafe. Ata bisedonin diçka, Jordan dhe Milevski më pas u futën në dhomë. Biseduam. Milevski e mori çantën dhe të dy u larguam. Fillimisht nuk e pash, por kur e pash ishte e mbyllur. Nuk kam qenë prezent ku shihet se si një dorë gruaje radhit para. Pash një çantë të mbyllur që Zoran Milevski e mori me lehtësi- tha Boki 13
Prokurorja Villma Ruskoska thotë se Boki 13 nuk e thotë të vërtetën. Ajo shprehet se në Prokurori kanë dëshmi që paratë e Kamçevit hyjnë në shtëpinë e Jovanovskit. Avokatët e Bokit pohojnë që Prokuroria nuk ka prova.
Nga analiza e telefonit të tij ka fotografi, lokacion të saktë ku jetojnë prindërit e Bojan Jovanovskit, kohën e saktë, çanta është brenda. Kemi kohën dhe lokacionin, dhe përputhet ajo që nga Kamçev çanta përfundon në shtëpinë ku jetojnë prindërit e Bojan Jovanovskit. Kjo provë u prezantua dhe u dorëzua në gjykatë- pohoi Vilma Ruskoska- prokurore.
Nuk ka ekspertizë të incizimit, nuk ka ekspertizë të telefonit celular. Ku bazohet kjo akuzë. Bazohet në deklaratën e një personi që ka interes të lirohet në procedurë tjetër penale? Për nga mënyra se si është vendosur akuza, dëshmitari i njëjtë mund të thotë që u ka dhënë të akuzuarve 150 milionë euro- tha Sashko Dukovski- avokat i Boki 13.
Sipas Boki 13, akuza është konstruksion kundër tij dhe ish kryetares së PSP-së, Katica Janevës dhe pohon që ai nuk ka ndikuar tek Janeva për paraburgimin e Kamçevit në rastin “Perandori”. Kiçeec i ka thënë se me Ana Kamçevën kanë qenë tek kryeministri i atëhershëm Zoran Zaev, i cili gjoja ka thënë se do të bëj çmos për paraburgimin e Kamçevit. Në një rast tjetër, Boki 13 pohon që Zaevi i ka thënë se shërbime të huaja dhe një prokuror kanë lëndë kundër tij dhe Janevës. Për fotografinë ku shihet Janeva me para, Boki u shpreh se bëhet fjalë për të hollat që Janeva ia ka dhënë për mobilen. Jovanovski tha edhe se Orce Kamçev ka qenë skenaristi kurse Zoran Milevski operuesi i rastit “Reket”. Sipas Boki 13, Kamçevi ka kërkuar ndihmë nga shërbimet sekrete bullgare që të gjej mënyrë si të shpëtojë nga rasti “Perandori”. Boki më tej tha se i pari pa denoncuar dyshimet tek ministri i atëhershëm i brendshëm, Oliver Spasovski, më saktë ka denoncuar spiunim nga Kamçevi. Ndryshe, Boki 13 dhe Janeva akuzohen për zhvatje prej 1,5 milionë euro nga Kamçev.
Igor Stefanovski




