Shkollat e mesme profesionale nuk kanë ngjallur interesim te semimaturantët në afatet e regjistrimit në vitin e ri shkollor 2017-18. Nga shkolla e mesme profesionale “Dimitar Vllahov” thonë se drejtime të caktuara rrezikojnë të mbyllen nëse nuk paraqitet numër i mjaftueshëm i nxënësve.
Për përkëdhelës, unë mendoj se është drejtim mjaft atraktiv për fëmijët, është shumë interesim i dobët, vetëm një kandidat është paraqitur. Do të mbyllen nëse nuk paraqitet asnjë kandidat apo pesë kandidat është numër shumë i vogël, duhet minimum shtatë kandidatë të paraqiten për një drejtim që të hapet. Teknik nutricionist është tragjedi mos të hapet në gjuhën shqipe edhe pse deri tani e kemi pas vetëm ëndërr – tha Xhejlan Aliji, SHMQSH “Dimitar Vllahov”.
Situatë e ngjashme është edhe në shkollat profesionale “8 shtatori” dhe “Vllado Tasev”. Për dallim të shkollave të lartpërmendura, në Qendrën Shkollore për Autotrafik “Boro Petrushevski” është plotësuar numri minimal i nxënësve për çdo paralele.
Mendoj se kanë ngel edhe disa vende të lira, mendoj se në afatin e dytë edhe ato vende do ti mbushim dhe vlerësoj se paralelet do të funksionojnë si duhet. Unë apeloj gjithë semimaturantët të regjistrohen nëpër të gjitha shkollat, mos të regjistrohen vetëm te një shkollë ose dy por ta bëjnë një apel që nxënësit të orientohen në të gjitha shkollat profesionale sepse nevojitet në tregun e punës – deklaroi Zekiria Zekiri, QSHA “Boro Petrushevski”.
Kohë më parë edhe Oda Ekonomike apeloi që nxënësit të orientohen në drejtimet profesionale pasi kompanitë përballen me mungesë të kuadrit në profile të ndryshme. Paraqitja dhe regjistrimi i nxënësve në afatin e gushtit do të zhvillohet më 24 gusht, ndërkaq rezultatet nga regjistrimi i nxënësve dhe vendet e lira do të kumtohen më 25 gusht.
Melihate Rustemi