26 Mars 2019 / 14:30
As në seancën e sotshme qeveritare nuk u vendos në rend të ditës propozim-ligji për Regjistrimin e popullsisë, pasi që, siç thonë zëdhënësit e ekzekutivit, duhet të bëhen edhe disa ndryshime teknike. Ndonëse u paralajmërua prej një muaji, Qeveria pritet të shqyrtojë tekstin e këtij propozim-ligji në seancën e së martës së ardhshme. Pastaj, procedura duhet të kalojë në Kuvend, që të mund institucionet të fillojnë përgatitjen. Nga Enti Shtetëror i Statistikës disa herë kanë theksuar se ligji do të duhej të miratohej më së voni në janar të këtij viti që të mundet në kohë të zbatohen procedurat. Por, Zëvendëskryeministri Bujar Osmani thotë se mbrëmë, janë harmonizuar të gjitha parimet ndërmjet partnerëve të koalicionit në pushtet për Propozim-ligjin e Regjistrimit të Popullsisë.
Parimisht, së pari do të regjistrohen edhe karakteristikat etnike, kulturore dhe fetare të qytetarëve. Dhe, së dyti njerëzit tanë që jetojnë jashtë shtetit, do të regjistrohen vetëm me një deklaratë të familjarëve të tyre, duke iu prezantuar numrin amë, me çka tregojnë se janë shtetas së Republikës së Maqedonisë së Veriut – tha Bujar Osmani, Zëvendëskryeministër.
Ndër pikat më të diskutueshme ishte edhe grafa për përkatësinë etnike, e cila u shtua në Propozim-Ligjin e Regjistrimit të Popullsisë, megjithëse Enti Shtetëror i Statistikave nuk e parashikonte fillimisht. Sipas këtij drafti thuhet që shtetasit, të cilët nuk janë rezident brenda territorit të Maqedonisë më shumë se një vit do të regjistrohen si popullsi e Diasporës.
Neni 8:
“Për shtetasit e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilët përkohësisht janë duke punuar ose qëndruar jashtë vendit, vetë-regjistrimi do të mundësohet në periudhën nga 15 marsi deri më 31 mars 2020, në një aplikacion të veçantë që gjendet në faqen e internetit të Entit Shtetëror të Statistikës, të cilët janë të detyrueshme të marrin masat teknike dhe organizative, në përputhje me rregulloret për mbrojtjen e të dhënave personale”, thuhet në Propozim-ligjin për Regjistrimin e Popullsisë për vitin 2020.
Sipas njoftimeve të Entit Shtetëror të Statistikës, regjistrimi provë pritet të zhvillohet gjatë muajit qershor në 44 rajone. Kurse, regjistrimi i popullsisë në Maqedoni do të zhvillohet në mars të vitit 2020, proces i cili do të kushtoj rreth 8,5 milion euro. Regjistrimi aktual legjitim daton që nga viti 2002, ndërsa në vitin 2011 regjistrimi i popullsisë dështoi që në ditën e parë të nisjes së procesit.
Adnan Qahili
Loading…