Presidenti rus, Vladimir Putin po hyn në fazën më të rrezikshme të sundimit të tij – atë në të cilën nuk lufton më vetëm kundër armiqve të jashtëm, por edhe kundër aparatit të tij shtetëror.
Në korrik 2025 u regjistruan një seri pastrimesh dramatike brenda elitës politike dhe biznesore ruse: shkarkime, arrestime, madje edhe vdekje misterioze të zyrtarëve të lartë.
Disa nga bashkëpunëtorët besnikë të mëparshëm — tani janë bërë objekt i regjimit që, duket se, po shembet nga brenda.
Dogma e besnikërisë, që për dekada ka qenë themeli i pushtetit të Putinit (“pasurohu, por jepi llogari”), sot nuk vlen më. Në vend të saj vjen një doktrinë e re: askush nuk është i sigurt, askush nuk është i pazëvendësueshëm, dhe askush nuk del nga sistemi pa pasoja.
Roman Starovoyt – vetëvrasje apo ekzekutim politik?
Një nga ngjarjet më tronditëse ndodhi më 8 korrik 2025. Atë mëngjes Putin shkarkoi ministrin e Transportit, Roman Starovoyt. Po atë pasdite, trupi i tij u gjet në veturën para shtëpisë në Odincovo, me një pistoletë pranë dhe plagë plumbi në kokë.
Komiteti hetues rus njoftoi se vdekja ishte “me shumë mundësi vetëvrasje”, por shtypi rus dhe analistët politikë shprehën menjëherë dyshime. Starovoyt kishte qenë më parë guvernator i rajonit të Kurskut (2019–2024), ku, me mbështetjen e Kremlinit, kishte drejtuar ndërtimin e fortifikimeve në kufirin me Ukrainën. Megjithatë, ato nuk penguan ofensivën ukrainase gjatë vitit 2024, kur një pjesë e territorit u pushtua përkohësisht — ngjarje që u konsiderua një dështim i madh në siguri.
Pasardhësi i tij në Kursk, Aleksey Smirnov, u arrestua për keqpërdorim në lidhje me atë projekt, dhe, sipas një kanali në Telegram “112”, dëshmoi kundër Starovoyt në kuadër të hetimit për korrupsion. Gazeta Komersant spekuloi se edhe vetë Starovoyt mund të akuzohej së shpejti.
Ndërkohë, Putin heshti. Sipas BBC-së, zëdhënësi i tij Dmitry Peskov deklaroi shkurt se “njerëzit normalë nuk mund të mos tronditen nga kjo. Edhe ne jemi të tronditur. Gjithçka është nën hetim”.
Shumica e televizionit shtetëror nuk përmendi fare vdekjen e ministrit në emisionet kryesore. Në kanalin “Rusia-1”, lajmi për vdekjen e tij u përmend vetëm 40 minuta pas fillimit të lajmeve kryesore — dhe zgjati vetëm 18 sekonda, raporton bbc.
Andrei Badalov – rënie nga kati i gabuar
Disa ditë para vdekjes së Starovoyt, trupi i Andrei Badalov, zëvendëspresidentit të kompanisë shtetërore Transneft, u gjet poshtë ndërtesës së tij. Versioni zyrtar: ra nga dritarja — edhe një “rënë vetëvrasëse” që shpesh shfaqet në përballjet ruse.
Megjithatë, siç raportoi Novaja Gazeta, Badalov jetonte në dhjetëkatëshin, ndërsa sipas të dhënave të kanalit Telegram Baza, ra nga kati i shtatëmbëdhjeti.
Ai ishte funksionari i 17-të i lartë që vdiq në rrethana të dyshimta që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në vitin 2022. Shumica e këtyre rasteve janë klasifikuar si vetëvrasje, ndërsa disa të tjera lidhen me rënie nga dritaret, përdorim armësh të zjarrit ose helmim.
Konstantin Strukov – nga miliarder te armik
Një shembull tjetër dramatik është rasti i Konstantin Strukovit, një nga njerëzit më të pasur në Rusi, pronarit të kompanisë së bizhuterive Južuralzoloto. Pasuria e tij vlerësohet mbi 3.5 miliardë dollarë.
Megjithatë, siç publikoi Moscow Times, së fundmi aeroplani i tij privat u ndalua nga ngritja, ndërsa gjykata urdhëroi nacionalizimin e kompanisë së tij. Pa ndonjë shpjegim publik.
Besnikëria që Strukov shprehte ndaj regjimit nuk ishte më e mjaftueshme për ta mbrojtur. Në kohën kur regjimi i Putinit kërkon burime të reja financimi për luftën, edhe miliarderët po bëhen “zëvendësime” për boshllëqet buxhetore.
Edhe ushtria nën goditje
As stafi më i lartë ushtarak nuk është kursyer. Gjeneral-kolonel, Khalil Arslanov, ish-zëvendës shef i Shtabit të Përgjithshëm, është dënuar me 17 vjet burg për keqpërdorim të më shumë se 1.6 miliardë rublave nga kontrata me firmën ushtarako-komunikuese, “Voentelek”.
Prokuroria e akuzoi edhe për marrje ryshfeti prej 12 milionë rubla nga drejtuesi i një kompanie ushtarake. Përveç tij, me dënime shumëvjeçare janë dënuar edhe kolonel, Pavel Kutahov dhe oficeri në pension Igor Jakovlyev. Vetëm disa vjet më parë, Arslanov ishte një nga njerëzit më të fuqishëm në ushtrinë ruse. Sot, është një emër tjetër në listën e “eliminuarve” nga maja e mbrojtjes.
Rosgvardia: Goditje ndaj ushtrisë së brendshme të Putinit
Veçanërisht e rëndësishme është goditja ndaj Gardës Kombëtare (Rosgvardia), institucion i themeluar në 2016 për të mbrojtur pushtetin nga kërcënimet e brendshme.
Viktor Strigunov, ish-zëvendës drejtori i parë i kësaj shërbese, u arrestua në korrik 2025 për dyshime për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës, raportuan agjencitë ruse. Ai akuzohet se lejoi ndërtimin e një kompleksi ushtarak në Kemerovo, pavarësisht ndalimeve teknike, duke i shkaktuar shtetit dëme mbi 2 miliardë rubla.
Në të njëjtën periudhë, të paktën tre oficerë të lartë të Rosgvardisë u arrestuan për ryshfete dhe keqpërdorime: gjenerali Konstantin Rjabih, Nikolay Çepkasov dhe Mihail Varencov, raportoi Moscow Times.
Kolapsi i sektorit hapësinor: edhe privatët po humbasin
As inovatorët rusë nuk janë të mbrojtur. Kompania private hapësinore SR Space, që merrej me raketa të lehta dhe satelitë, po përballet me falimentim. Administrata shtetërore e tatimeve bllokoi llogaritë e kompanisë në katër banka dhe nisi procesin e falimentimit, shkruan Komersant.
Më parë kanë dështuar edhe pionierët e tjerë të biznesit hapësinor: Dauria Aerospace, KosmoKurs, si dhe përpjekja për të rilindur projektin Sea Launch.
Ndër shkaqet: sanksionet, izolimi, burokracia dhe mungesa e investimeve. Sektori hapësinor, dikur krenaria e pavarësisë teknologjike ruse, tani po bëhet simbol i dështimit të ambicieve.