Reformat në gjyqësor duhet të vazhdojnë me dinamikë të përshpejtuar, thonë nga Shoqata e gjykatësve.
Por, gjykatësi suprem, Xhemali Saiti, pranon se procesi i reformave nuk do të mund të zhvillohet me dinamikën që e presin qytetarët. Për të kthyer besimin e qytetarëve tek gjyqësori, Saiti pranon se duhet shumë punë.
“Reformat duhet të zhvillohen në dy kahje, kahja normative dhe tjetra është veprimi i gjykatësve dhe analiza se a kemi avancim për sa i përket vendimeve të gjykatave ndaj qytetarëve. Shpresoj se me këto masa reformuese do të arrijmë të promovojmë këtë koncept, por ende nuk e dimë se sa janë reale të gjitha sulmet e drejtuara nga gjyqësia. Por, gjithsesi, jam i vetëdijshëm se duhet të punojmë më shumë dhe vendimet tona të orientohen nga qytetarët”,- deklaroi gjykatësi suprem, Xhemali Saiti.
Javën e ardhshme në Kuvend do të debatohet rreth ligjeve për Këshillin gjyqësor dhe gjykatat, të cilat aktualisht kalojnë filtrat e këshillit për reforma në gjyqësi.
“Këshilli, përskaj faktit që do ndjek implementimin, do të ndjekë edhe të gjitha projektligjet të cilat para se të hyjnë në Qeveri, do të përgatiten nga Ministria e Drejtësisë dhe do të shqyrtohen edhe një herë para se të votohen në Parlament”,- theksoi zëvendësministri i drejtësisë, Oliver Ristovski.
Zëvendësministri i drejtësisë pret përkrahje nga opozita në miratimin e këtyre ligjeve.