Ka nisur punën sot Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore nën drejtimin e dy bashkëkryetarëve: Taulant Balla dhe Oerd Bylykbashi. Mbledhja ka nisur me propozimet e akumuluara nga partitë për reformën zgjedhore dhe ato që do të diskutohen.
Oerd Bylykbashi
Bashkëkryetari demokrat Oerd Bylykbashi tha se komisioni duhet të përqendrohet tek çështjet kryesore që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me garantimin e një procesi zgjedhor të ndershëm. Ai tha se opozita propozon uljen e shpenzimeve për fushatën në mënyrë që partitë politike të financohen nga buxheti i shtetit. “Zgjedhjet nuk mund të jenë peng i parasë kriminale”, tha ai.
Ky dokument duhet të shikohet në mënyrë të kujdesshme për të përcaktuar se kush janë çështjet që duhet të diskutohen pa diskutim! Këto çështje janë: numërimi elektronik, identifikimi biometrik në mënyrë integrale që të shmanget marrja e kartave të zgjedhësve, që nuk është blerje vote apo anulim i të drejtës së votës. Korruptimi i komisionerëve. Financimi publik që kemi ngritur është i domosdoshëm. Zgjedhjet nuk mund të jenë peng i parasë kriminale që më pas subjektet blejnë shtetin dhe kthehemi në oligarki.
Taulant Balla
Bashkëkryetari tjetër i komisionit, Taulant Balla tha se mazhoranca nuk ishte kundër votimit elektronik. “Unë nuk shoh që kemi ndasi të mëdha dhe të bëjmë diskutime të mëdha. Më lejoni t’ju them kush është pozicioni im si bashkëkryetar për çështjen e votimit elektronik. Nuk kam thënë kurrë këtu se jam kundër sepse e kam kërkuar vetë 5 vite më parë. Jam shumë pro. A kemi mundësi të krijojmë një sistem të plotë? Jemi pro! Por, për këtë çështje propozimi im është që pasi ne të kemi shprehur të gjithë dakordësinë, dhe për këto çështje të pyesim OSBE/ODIHR. Nëse ne e miratojmë tani këtë, kemi kohë në dispozicion? OSBE ka thënë se duhet të bëhet një studim fizibiliteti. Kjo nuk na përket ne pastaj“-, u shpreh Balla.
Shpëtim Idrizi
Kreu i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet Shpëtim Idrizi, gjatë mbledhjes së komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, deklaroi se pas një viti, komisioni gjente dakordësinë për çështje që ishin dakord prej muajsh. “Të gjithë jemi në favor të identifikimit, numërimit dhe votimit elektronik”, tha ai.
13 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)