Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) i mbledh të dhënat nga Komisionet komunale zgjedhore për numrin e personave të paraqitur të sëmurë dhe të pafuqishëm, të cilët dëshirojnë të votojnë në referendum. Deri pasdite nga gjithsej 80 komisione komunale zgjedhore deri tek KSHZ-ja kanë arritur të dhëna prej 56 KKZ-ve, në të cilat për votim janë paraqitur 1.260 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm.
Afati për paraqitje për votim të personave të sëmurë dhe të pafuqishëm përfundoi më 22 shtator në mesnatë. Këta persona si dhe 1.558 të burgosur, sipas Listës zgjedhore, personat në arrest shtëpiak, si dhe 2.694 votues nga diaspora për çështjen e referendumit do të deklarohen më 29 shtator.
Votimi i parë në referendum do të jetë të mërkurën (26 shtator) kur në vendvotimin në KSHZ, të drejtën e tyre do ta shfrytëzojnë 104 anëtarë dhe zëvendës-anëtarë të këshillave zgjedhorë të cilët do ta zbatojnë votimin në përfaqësitë diplomatike-konsullore ose zyrat konsullore të Republikës së Maqedonisë jashtë vendit.
Këto ditë vazhdojnë trajnimet e këshillave zgjedhorë, të cilët në ditën e referendumit do të numërojnë gjashtë anëtarë. Procesi do të monitorohet nga vëzhgues të akredituar, për çka afati për paraqitje përfundon në mesnatë.
Fushata përfundon të enjten më 27 shtator në mesnatë. Për referendumin shtypshkronja “Kiro Dandaro” duhet të shtypë 1.806.336 fletëvotime, gjegjësisht aq sa votues ka të regjistruar në Listën e mbyllur të votuesve.
Sipas afatit, KSHZ-ja, materialin zgjedhor ia dorëzon KKZ-së më së voni në afat prej 72 orëve para ditës së përcaktuar për mbajtjen e referendumit. Sipas informacioneve të KSHZ-së kjo do të ndodh të enjten në mëngjes kur materiali drejpërdrejtë nga shtypshkronja do të shpërndahet deri te Komisionet komunale zgjedhore.
KKZ-ja, megjithatë, është e obliguar një ditë para ditës së mbajtjes së referendumit ta dorëzojë materialin zgjedhor tek këshilli zgjedhor.
Votimi më 30 shtator fillon në orën 07:00 të mëngjesit dhe përfundon në orën 19:00.
Pyetja për referendumin thotë: “A jeni për hyrje në BE dhe NATO me pranimin e Marrëveshjes midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”, ndërsa votuesit që do të dalin në referendum me rrethimin me stilolaps kimik të kaltër duhet të deklarohen nëse janë “për” ose “kundër”.
KSHZ-ja rezultatet e para nga referendumi, të marra në mënyrë elektronike i publikon me radhë, ndërsa rezultatet në bazë të të dhënave nga procesverbalet dhe tërë materiali i votimit nga KKZ-ja, në afat prej 24 orëve pas marrjes së procesverbaleve dhe tërë materialit të votimit nga të gjitha KKZ-të. Rezultatin nga votimi, KSHZ-ja e publikon në “Gazetën zyrtare” në afat prej 15 ditëve nga dita e mbajtjes së referendumit.