
Bisedimet për koalicionin e ri qeveritarë janë shndërruar në një lojë ping pongu. Siç mësohet jo zyrtarisht, Ahmeti me disa zyrtarë të tjerë të BDI-së janë në komunikim të vazhdueshëm me VMRO-DPMNE-në prej ku marrin propozime lidhur me kushtet e koalicionit të cilat më pas Ahmeti ua prezenton nënkryetarëve dhe anëtarëve të kryesisë, raporton SHENJA.
Më pas kreu i BDI-së përgjigjet e kryesisë dhe propozimet e reja nga selia e tij ua përcjellë bashkëbiseduesve në VMRO-DPMNE. Sipas informatave jo zyrtare nga Gruevski ka ofertë për rritjen e numrit të ministrive me të cilat do të udhëheqin kuadro të BDI-së dhe ndryshime të ligjit për gjuhët. Sipas ofertës së VMRO-së nuk bëhet fjalë për dygjuhësi siç parasheh platforma e përbashkët e partive shqiptare, por avancim të gjuhës vetëm në nivel të administratës në komunat ku shqiptarët janë mbi 20 përqind.
Ndryshe gjatë ditës, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti tha se këto bisedime do të jenë të vështira. /SHENJA/