Pas vendimit përfundimtarë për rastin “ Lagjja e trimave” kanë reaguar partitë shqiptare mes të cilave edhe partia ndaj të cilës familjarët drejtojnë akuza, konkretisht nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Nga kjo parti thonë se procesi i gjykimit dhe dëshmitë e protagonistëve nxorën në sipërfaqe dilemat rreth organizatorëve dhe motiveve të këtij rasti të rëndë, prandaj qytetarët kanë nevojë ta kuptojnë të vërtetën e plotë. Nga BDI kërkojnë angazhim të faktorit ndërkombëtarë për zbardhjen e të vërtetës, shkruan Almakos.
“Pjesë të dëshmive si dhe materialeve me të cilat qytetarët kishin mundësi të njoftohen nëpërmjet të mediave aludojnë në përfshirjen e dyshuar edhe të përfaqësuesve zyrtar të institucioneve më të larta të shtetit në komunikim me protagonistët e ngjarjes. Prandaj, ftojmë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe autoritetit e sundimit të së drejtës që të përfshijnë ekspert ndërkombëtar në hetimin e rastit si dhe të vendosin komunikim dhe bashkëpunim edhe me autoritetit e Kosovës dhe Shqipërisë në shkëmbimin e informacioneve drejt zbardhjes së tërësishme”, thuhet në reagimin me shkrim të BDI-së”- thuhet në reagimin e BDI-së.
Angazhimin e ndërkombëtarëve e kërkuan edhe nga Aleanca për Shqiptarët, të cilët këtë gjykim e vlerësojnë si politik dhe ngrenë akuza të forta ndaj regjimit VMRO-BDI, të cilët I bëjnë përgjegjës për këtë proces të montuar. Zbardhja e këtij rasti, siç thonë nga kjo parti është ndër përcaktimet esenciale të veprimit të tyre politik dhe pjesëmarrjes në Qeveri Aleanca për Shqiptarët.
“Vendimi i Gjykatës Penale me 746 vite burg për të dënuarit e Kumanovës, dhe 7 persona me burg të përjetshëm paraqet dënimin më të madh ndonjëherë ndaj shqiptarëve, në historinë e Maqedonisë. Vlerësojmë se ky gjykim është politik, dhe vazhdimësi e një procesi të montuar politik në që ndodhi pikërisht në kohën e regjimit VMRO-BDI, dhe si i tillë është gjykim i po të njëjtës mendësi të atij regjimi dhe të atyre aktorëve politik të pushtetit të deridjeshëm. Aleanca për Shqiptarët fton faktorin ndërkombëtar të dëhet pjesë e zbardhjes së tërësishme të këtij procesi të montuar politik”- thuhet në reagimin e ASH.
Nga Lëvizja Besa, thonë se Dënimi i sotshëm në procesin gjyqësor të njohur si “rasti Kumanova” flet edhe për vazhdimin e të njëjtës qasje të kësaj qeverie kur në pyetje janë shqiptarët,duke thënë se dënuarve nuk u është lejuar as mbrojtje e denjë, si dhe nuk iu njoh e drejta për mbikëqyrje ndërkombëtare të gjykimit.
“Dënime të këtilla drakonike ndaj shqiptarëve, jo vetëm që ngrisin shumë dyshime, por lënë pasoja në marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni. Rasti i Kumanovës” ndodhi në kohën e VMRO – BDI-së, ndërsa dënimet drakonike po bëhen me LSDM – BDI-në, me çka deri sa BDI është në pushtet raste të tilla gjithnjë ka pasur, e fatkeqësisht vazhdojnë të ndodhin. Njëjtë si në qeverisjen e kaluar, edhe tani Ministria e Drejtësisë drejtohet nga kuadër i BDI-së, deri sa shqiptarët po gjykohen me dënime qindra vjeçare me burg”- thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA.
Gjykata Penale dha vendimin për rastin e Kumanovës, 7 nga të akuzuarit u dënuan me burgim të përjetshëm, katër lirohen, ndërsa 33 tjerë janë me dënime të larta. Gjithsej për të akuzuarit u dhanë 7 shekuj e gjysmë burgim.
Përgatiti: Evi Shkopi
Almakos.com