I pari që ka reaguar ishte kryeministri Edi rama, I cili e quan një arritje historike vendimin e sotem të kuvendit të Maqedonisë.
“Miratimi nga parlamenti në Shkup i ligjit të gjuhës shqipe një arritje historike për shqiptarët që demokratizon e forcon vetë Maqedoninë” shkruan Rama ne facebook. Edhe Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta thotë se ligji që u soll në Kuvendin e Maqedonisë, është një akt i rëndësishëm për të ardhmen europiane të Maqedonisë.
“Të dashur miq, sapo mbërrita në aeroportin e Ljubljanës mora lajmin e gëzueshëm se Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe. Një akt i rëndësishëm jo vetëm për shqiptarët por edhe për të ardhmen evropiane të Maqedonisë”, shkruan presidenti Meta në facebook.
Ndërkaq, kreu i opozitës shqiptare Lulzim Basha thote se Miratimi i ligjit, është një hap i rëndësishëm përpara në realizimin e statusit të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë.
“Përshëndes këtë hap si një sukses i bashkërendimit dhe bashkëpunimit të faktorit politik shqiptar në Maqedoni. Vlerësoj qëndrimin e forcave politike maqedonase që mbështetën me votën e tyre këtë ligj, i bindur se kjo votë është një kontribut i rëndësishëm për bashkëjetesën etnike dhe konsolidimin e një shoqërie demokratike në Maqedoni. Partia Demokratike nxit këtë klimë uniteti mes faktorit politik shqiptar dhe bashkëpunimi me atë politik maqedonas, si një garanci për një Maqedoni të orientuar drejt standardeve dhe vlerave euroatlantike dhe europiane”, shkruan Basha.