Ofendimet e kryeministrit Zoran Zaev për rastin “Zhvatja” kanë nxitur shumë reagime të ashpra në opinion, por më së shumti me kryeministrin janë hidhëruar gazetarët dhe komuniteti LGBT. Reagime erdhën edhe nga partitë politike, pas deklaratës së Zoran Zaevit se nuk do të lejojë që “disa kriminelë, një gazetar kapriçioz dhe një pederast”, ta rrëzojnë Qeverinë e tij.
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë i kërkoi kryeministrit që menjëherë të kërkojë falje nga i gjithë komuniteti i gazetarëve, dhe në veçanti nga Branko Gerovski i cili i pari e kishte denoncuar “Zhvatjen” nga biznesmenëve.
Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë së Veriut
“Ky fjalim agresiv i kryeministrit, mund të nxisë dhunë ndaj kolegëve tanë, dhe kështu do të kërcënohet siguria e tyre. Por do tu kufizohet edhe liria e shprehjes. Kërkojmë nga kryeministrit Zoran Zaev menjëherë t’u kërkojë falje gazetarëve, para së gjithash kolegut Branko Geroski, nëse kjo deklaratë ishte e dedikuar për të, dhe në të ardhmen të përmbahet nga diskreditimi i tillë i gazetarëve”
Vetë gazetari Branko Gerovski në një status në Fejsbuk ka thënë se nuk ndjehet i sigurtë pas këtyre deklaratave dhe mendon se në çdo moment në derën e tij do të trokasin militantët partiak të LSDM-së për ta sulmuar.
Branko Gerovski, gazetar
“Kjo deklaratë tashmë në rrjetet sociale ka shkaktuar një valë agresiviteti verbal. Në këtë moment, ndjehem i kërcënuar dhe i pasigurtë, ndërsa edhe familja ime është e shqetësuar. Prandaj ju lus sa të keni mundësi që t’i njoftoni përfaqësuesit ndërkombëtar për këto që po ndodhin”
Agjencia e mediave e kritikoi kryeministrin për të cilin thotë se në vend se ta kultivojë dhe mbrojë lirinë e shprehjes dhe të punës së gazetarëve, publikisht e pengon dhe ofendon.
Agjencia e Mediave
“Agjencia e mediave e dënon ashpër deklaratën e kryeministrit Zoran Zaev për rastin “Zhvatja”. Kryeministri në vend se ta respektojë rolin dhe punën e gazetarëve si kritikë të pushtetit, tenton që ta diskreditojë një gazetar. Agjencia rikujton politikanët se ata janë të detyruar që ti respektojnë standardet evropiane për liri të informimit, ti respektojnë dallimet dhe të përmbahen nga gjuha e cila mund ti varrosë këto vlera”
Edhe këshilli për Etikë në Media e ka quajtur deklaratën e Zaevit të pahijshme.
Këshilli për etikë në media
“Deklarata e kryeministrit se nuk do të lejojë që një gazetar kapriçioz ta rrëzojë prej pushtetit është e pahijshme për një bartës të funksionit publik. Në asnjë demokraci roli i pushtetit nuk është përzierje në punën e gazetarëve, prandaj këto deklarata nënkuptohen si presion i hapur dhe tentativë për diskreditim të punës së gazetarëve dhe profesionit”
Drejtoresha e Komitetit të Helsinkit Uranija Pirovska thotë se nuk do tia falë kryeministrit deklaratën fyese kundër komunitetit LGBT.
Uranija Pirovska, drejtoreshë e Komitetit të Helsinkit
“E neveritshme në të gjitha aspektet. Aq kishit nga pranimi i dallimeve dhe respektimi i tyre. Gjithçka që është folur dhe bërë më herët paska qenë demogogji e rëndë. Jo Zoran Zaev, komuniteti LGBT nuk do ta falë”
Reagime erdhën edhe nga partia opozitare VMRO DPMNE. Ata i kërkojnë Qeverisë dhe Zoran Zaevit që ti lejnë gazetarët rehat që ta bëjnë punën e tyre dhe të mos ua kufizojnë lirinë e shprehjes pasi nuk do të thotë se nuk bëjnë nëse shkruajnë për siç i quajtën “krimet e Zaevit”.
VMRO-DPMNE
“Censura është turp për secilin shtet. Tashmë është e qartë që në Maqedoni sundon regjimi totalitar kriminal. VMRO DPMNE i dënon ashpër kërcënimet dhe ofendimet e Zaevit ndaj gazetarëve të cilët e zbardhën krimin e tij. VMRO DPMNE i dënon edhe ofendimet në bazë të orientimit seksual”
Pas deklaratës dhe pas reagimeve të ashpra, kryeministrit tentoi të zbusë fjalorin dhe të korrigjojë atë çfarë e kishte thënë. Në profilin e tij në Tëitter kishte shkruar se nuk kishte dashur ta ofendojë askënd dhe se fjalën fyese “pederas” e kishte përdorur në aspektin e sjelljes së një njeriu e jo në aspekt të orientimit të tij. Ai madje u zotua se do të vazhdojë të luftojë për të drejtat e komunitetit LGBT sikurse deri më tani.
Në paraqitjen e tij të parë pas pushimeve, me rastin e 18 vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Kryeministri Zoran Zaev iu përgjigj ashpër pyetjeve të gazetarëve për dyshimet mbi lidhshmërinë e tij me “Zhvatjen”.
“A ju tradhëtoi Katica Janeva?
Për mua paraqitja e saj ishte IDIOTE. Për momentin, bazuar në provat që i ka. Unë pres që ti prezantojë provat për të gjithë. Për Katica Janevën, Zoran Zaevin, për cilindo që përshihet në hetime”
Zaevi përveç për Katica Janevën, tha fjalë ofenduese edhe për të tjerët.
“Unë jam Zoran Zaev.
Erdha në pushtet falë votave të qytetarëve, duke luftuar për liri, demokraci, për shtet të së drejtës, për shtet normal.
Unë jam njeri luftëtar dhe do të vazhdoj të luftoj për këto vlera deri në fund derisa qytetarët ma japin këtë pozicion.
Kuptohet se nuk do të lejoj që disa kriminelë, një gazetar kapriçioz, dhe le të më falë komuniteti LGBT ,një pederast, ta rrezojnë Qeverinë nga pushteti”
https://www.youtube.com/watch?v=E1JNvkWklqE