Sekretari i Përgjithshëm i Sindikatës së Pavarur të Policisë, Florim Alimi, ka reaguar në lidhje me pagën bazë të policëve në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se ajo vazhdon të mbetet nën nivelin e rrogës minimale, pavarësisht përgjegjësive të mëdha që bartin policët në mbrojtjen e rendit, sigurisë dhe jetës së qytetarëve informon Tetovasot.
Alimi nënvizon se edhe policët me përvojë dhe arsim të lartë punojnë me pagë bazë më të ulët se standardi i garantuar ligjërisht. Edhe pse shtesat për turne nate, fundjavë, ushqim, transport dhe rrezikshmëri rrisin pagën totale, paga bazë mbetet e pamjaftueshme dhe e turpshme. Ky diskriminim ekonomik bën profesionin jo atraktiv për gjeneratat e reja, të cilat shpesh pyesin: “Kush do të pranojë të punojë për 20.000 denarë pagë bazë në Policinë e Maqedonisë së Veriut?”.
Sindikata kërkon urgjentisht:
Rishikimin dhe rritjen e rrogës bazë të policëve, në përputhje me përgjegjësinë dhe sakrificën e profesionit.
Harmonizimin e pagave me rrogën minimale dhe standardet evropiane.
Masat konkrete për përmirësimin e statusit material dhe social të punonjësve policorë.
Sindikatа e Pavarur e Policisë thekson se nuk do të tolerojë më tej këtë padrejtësi dhe do të përdorë të gjitha mekanizmat ligjorë dhe sindikalë për të mbrojtur dinjitetin e çdo punonjësi policor.
Sindikata ka ngritur një proces gjyqësor me mbi 5.500 padi kundër punëdhënësit, Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke kërkuar harmonizimin e rrogës bazë që momentalisht është ndër më të ulëtat. Ky hap ligjor synon të sigurojë që çdo polic të marrë pagën që i përket sipas përgjegjësisë, sakrificës dhe standardeve ligjore.Tetovasot