Me rigjykim eventual të rastit “Monstra” ka gjasa që të propozohen biseda të përgjuara telefonike me të cilat të paktën do të tentohet të dëshmohet pafajësia e të dënuarve.
Avokati i disa prej të akuzuarve në këtë rast Naser Raufi, tha se bisedat telefonike që i ka dëgjuar edhe vetë, janë të përgjuara në mënyrë ilegale, por për hirë të interesit publik do t’i propozojnë si prova shtesë.
“Nuk e di a ka këtë material Prokuroria Speciale, mendoj se e posedojnë, por ne si avokat nuk e kemi këtë bisedë. Është ilegale, por mendoj se do ta pranojnë pasi bëhet fjalë për interes publik”, ka thënë Raufi. Ai shtoi se në bazë të rrethanave të krijuara, avokatët mbrojtës do të kërkojnë një hetim ndërkombëtar lidhur me këtë rast.
“Deri tani kemi bërë kërkesa tek prokuroria speciale, tani pasi u prolongua edhe kjo me dëshmitë. Duke i pritur dëshmitë të cilat i posedon Prokuroria Speciale, i kemi prit që këto dëshmi që t’i jepen gjykatës supreme, por tani nuk ndodhi kjo, tani do të kërkojmë prej ndërkombëtarëve që të na ndihmojnë për hetimin dhe për zbardhjen e rastit”, deklaroi Raufi, përcjell Almakos.
Dyshoj se ky rast është i montuar, ashtu edhe kjo lëndë penale dhe atë në mënyrë klasike, konsideron Naser Raufi, avokat i të akuzuarve në rastin “Monstra”, pasi sot në Gjykatën supreme në Shkup u mbajt seanca e hapur lidhur me rastin për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë.
Sipas Raufit, dëshmitari i mbrojtur me paraqitje të ndryshme e tregon dyshimin e tij.
“Ka bërë gabime gjatë detajeve kur ka regjistruar të akuzuarit, ka përzier persona dhe nuk ka dhënë imazh të qartë. Nuk e flet të vërtetën dëshmitari, gjykata le ta shqyrtojë”, ka thënë Raufi.
Gjatë fundjavës, Bedri Ajdari kishte thënë për Televizionin Telma se ka dëgjuar bisedë telefonike me dy persona të panjohur të cilët pohojnë se në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur gjurmë që do të akuzonin personat e dyshuar për vrasjen e pesëfishtë, por duhet të bëhet çmos që të sigurohen prova.
Për rastin “Monstra”, me burg të përjetshëm janë dënuar gjashtë persona, të cilët akuzohen për masakrën e pesë personave tek Liqeni i Smillkovës. Edhe Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, disa herë paralajmëroi se përmes “bombave” do ta ndihmojë zbardhjen e së vërtetës për këtë vrasje, por megjithatë ai nuk publikoi biseda të përgjuara lidhur me këtë rast./Almakos

