Gjykata penale ka vendosur që 12 shkurti të jetë data kur do të fillojë rigjykimi për rastin “Monstra”.
Avokati mbrojtës Naser Raufi thekson se është e mundur që Prokuroria e përgjithshme për krim të organizuar të tërheq aktakuzën për shkak të mungesës së provave derisa thekson se pala mbrojtëse posedon prova me të cilat mund të detektohet kryerësit e vërtetë të vrasjes së pesëfishtë në Smillkovë.
“Njëherë do të prononcohet vetë Prokuroria se a mbetët në atë aktakuzë të vjetër apo do të këtë ndryshim bile dhe ndoshta tërheqje të aktakuzës. Ky është një opsion që ndoshta mund edhe të realizohet pasi nuk ekzistojnë edhe provat dhe në mungesë të provave mendoj se Prokuroria e krimit të organizuar do të jetë e detyruar që ta tërheqë aktakuzën. Ne si palë mbrojtëse kemi përgatit edhe prova që do të propozojmë, prova të reja që ndërkohë kemi informata për involvimin e personave të tjerë në këtë rast. Jemi të sigurt që këto nuk janë fajtorë bile mendojmë që në kohën që vijon mund të detektohen edhe realizuesit e këtij krimi”, shprehet avokati Naser Raufi.
Raufi është i mendimit se Prokuroria speciale mund të përfaqësojë rastin pasi që tani më ka përfunduar hetimin për të njëjtën.
“Unë mendoj se hetimi i PSP ka marrë fund dhe mendoj se ka shpresë që kjo prokurori ta ndërmerr rastin. Ne si avokat deri më tani nuk e dimë se cili prokurorë do ta prezantojë lëndën. E dimë që trupi gjyqësor është i caktuar dhe janë gjykatës me përvojë dhe janë gjykatës në të cilët kemi besim absolute”, theksoi avokati Naser Raufi, njofton TVM2.
Pas dy aktvendimeve gjyqësore për burg të përjetshëm dhe qëndrimit në paraburgim për 5 vite e gjysme, Gjykata Supreme vendosi që lënda për rastin “Monstra” të kthehet në rigjykim ndërsa të akuzuarit të mbrohen në liri.
Këtë pos mbrojtjes kishte kërkuar edhe prokurorja Liljana Spasovska e cila para trupit Gjykues në Supreme theksoi se për këtë lëndë tani ka rrethana të reja duke aluduar në përgjimet e përmendura nga tani Kryeministri Zoran Zaev.
Sipas Raufit procesi i rigjykimit nuk pritet të zgjatë dhe i njëjti pritet të përfundojë në disa seanca.