01 March
Gjykata Penale nesër do të vendos lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale për paraburgim kundër dy personave, të cilët dyshohen në rastin e fundit të kësaj Prokurorie të koduar me emrin “Trust”. Nuk dihet se kur të dyshuarit do të paraqiten para gjykatësit në procedurë paraprake, edhe pse bëhet fjalë për masë urgjente që u kërkua dje nga Specialja. Jozyrtarisht, pranë Prokurorisë Speciale deri në këtë moment nuk ka arritur ndonjë ftesë nga gjykata.
Një nga problemet e mundshme për ngecjen e procedurës është fakti se prej sot hynë në fuqi orari i ri në Gjykatën Penale Shkup, sipas të cilit një pjesë e gjykatësve kompetent për paraburgimet janë zhvendosur në detyra të reja. Alsat zyrtarisht iu drejtua Gjykatës Themelore Shkupi 1 për sqarim, se cilët gjykatës do të vendosin për kërkesat e speciales? Por përgjigje nuk morëm.
Derisa fati i të dyshuarve në “Trust” mbetet i paqartë, Ministri i brendshëm Agim Nuhiu ka ngritur procedurë disiplinore kundër kryeshefit të policisë së Ohrit për shkak të kërcënimeve të drejtuara për prokurorët e Speciales në prezencën e tij, kur të njëjtit ishin në Ohër që të bisedojnë me gjithsej 185 donatorë të partisë së pushtet.
Kërkova që kontrolli i brendshëm ta njoftojë edhe prokurorin publik të Maqedonisë, nëse ka elemente të veprës penale nga kryeshefi. Do të thotë fakti që është ngritur procedurë urgjente disiplinore është një gjë, ndërsa tjetra është se po shqyrtohet nëse në këtë situatë kryeshefi ka bërë vepër penale – deklaroi ministëri i Brendshëm Agim Nuhiu.
Prokuroria Speciale të martën njoftoi zgjerimin e hetimit në rastin “Titanik” me 17 persona tjerë zyrtarë të lartë të VMRO-DPMNE-së. Jo zyrtarisht, në mesin e të dyshuarve tani është edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së Nikola Gruevski, ish sekretari i përgjithshëm i qeverisë Martin Protugjer, deputeti Ilija Dimovski e tjerë. Nëse edhe kur këta persona do të thirren për të dëshmuar për këtë lëndë të paktën sot Specialja nuk dha përgjigje.