Rasti Monstra edhe më tej po mbahet peng nga gjykatat e Shkupit.
Në bisedë telefonike nga Gjykata Supreme thanë se ende nuk kanë ndonjë qëndrim lidhur me paraburgimin e të dënuarve. Kjo pasi që Gjykata Themelore sugjeroi që për paraburgimin të vendos Gjykata Supreme, ajo e cila ka marrë vendimin për rigjykim.
Prokurorja Liljana Spasovska kërkoi rigjykim për rastin Monstra më 3 tetor. Fillimisht i dëgjoi argumentet e avokatëve të cilët e cilësonin akuzën si lojë e dobët e bazuar vetëm në supozime e fakte të rrejshme, dhe kjo e nxiti Spasovskën të çohet në këmbë dhe t’i thotë trupit gjykues se ky rast meriton rishqyrtim. Vlerësimi i saj ishte se të paktën, me rigjykim do të shoshiteshin dilemat e shtruara në opinion, pasi u morr vesh se ekzistojnë biseda të përgjuara telefonike lidhur me këtë rast.
“Bisedat e përgjuara hedhin hije mbi këtë rast. Ne nuk duam të jetë ky rast me hije. E kam thënë edhe më parë se duhet nxjerrë fakte. Gjykata dhe ato që posedojnë bisedat e përgjuara duhet t’i sigurojnë për këtë proces”, tha Spasovska më 3 tetor.
Spasoska e kritikoi ashpër vendimin edhe të shkallës së parë edhe të shkallës së dytë për rastin Monstra duke siguruar se ka patur shumë hapësirë për korrigjime të vendimit.
Mirëpo, gjatë dy, tre ditëve të fundit, Gjykata e tre shkallëve luajnë ping-pong me lëndën.
Fillimisht nuk dihej se në cilën shkallë gjyqësore gjendjen lënda, dhe më pas pasi arriti në shkallën e parë, u njoftua se përsëri lënda është kthyer në nivelin e tretë. Kjo meqë nuk ka qenë praktikë e mëparshme gjyqësore hapi dilema të reja juridike dhe paqartësi se kush është kompetent për të vendosur mbi paraburgimin.
Për masakrën tek Liqeni i Smillkovës para pesë viteve, me burg të përjetshëm janë dënuar gjashtë persona. Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, disa herë paralajmëroi se opinioni përmes “bombave” do ta mësojë të vërtetën për këtë rast, por megjithatë ai nuk publikoi biseda të përgjuara për vrasjen makabre të katër djelmoshave nga Radishani dhe peshkatarit nga Cresheva, si dhe për dënimin me burg të përjetshëm të gjashtë shqiptarëve./Almakos

