Ka filluar seanca publike në Gjykatën e Apelit, ku kryeministri, Zoran Zaev, përmes ankesës kërkon që video-incizimet nga masat e veçanta të hetimit për rastin kundër tij “Mitmarrja” të mos shfrytëzohen si dëshmi në këtë proces. Gjatë seancës së sotme reaguan katër avokatët mbrojtës të Zoran Zaevit për shkak të pamundësisë të kenë në dispozicion incizimin e plotë që u publikua në youtube dhe është dëshmi kundër Zaevit. Ata njëherit reaguan se pa video-incizimin e plotë vështirë përgatitet mbrojtja, ndërsa akuzuan se ky është proces i montuar.
Në media publikohej incizimi dhe me këtë është thyer e drejta e privatësisë dhe e gjykimit të drejtë, vlerësojnë avokatët të cilët kërkojnë të shohin urdhrin me të cilin është kryer ky incizim. Mbrojta thekson se biznesmeni ka qenë agjent provokator, për të cilin thonë se e ka pranuar prokuroria e lartë por që mungon urdhri.
“Thelbësorja është se nuk ka urdhër, duhet patjetër të ketë. Urdhri i dytë është për incizim të hapësirës që është jashtë hapësirës afariste ndërsa kjo është hapësirë afariste. Kjo është në kundërshtim, vet zbatimi i masave të veçanta të hetimit është në kundërshtim me urdhrin”,- deklaroi avokati mbrojtës, Jakim Naumov.
Paraprakisht, Zaev mori pjesë në gjykimin po për këtë lëndë në Gjykatën Penale, por që e njëjta u anulua për shkak se Gjykata e Apelit akoma nuk ka vendosur rreth kërkesës së Zaevit. Në dalje nga Gjykata, Zaev shpreson se ankesa e tij do të pranohet, por sido që të jetë do të respektojë vendimin gjyqësor.
“Presim që ankesat tona të pranohen sepse ajo është pjesa më thelbësore e procedurës. Do të presim vendimin gjyqësor dhe do ta respektojmë atë. Dua që incizimi të publikohet që të mund të gjithë të shohin në tërësi pa pjesët e shkëputura, sepse jo vetëm që jam i bindur në pafajësinë time, por e kam me rëndësi edhe imazhin tim, sepse kryej funksion të lartë politik”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Prokurori nga Prokuroria e Lartë, Jovan Cvetanovski, theksoi se dëshmia është siguruar në mënyrë ligjore dhe se urdhri për këtë ekziston, por nuk është dëshmi në këtë proces.
Vendimin për këtë rast Gjykata e Apelit pritet ta publikojë brenda disa ditëve, ndërkohë që seanca gjyqësore për këtë rast Gjykata Penale ka caktuar më datën 29 dhjetor. Në rastin “Mitmarrja”, kryeministri Zaev si kryetari i komunës së Strumicës akuzohet se ka kërkuar 160 mijë euro nga biznesmeni i kësaj komunë për blerje të tokës ndërtimore. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)