Për gati gjysmë viti nuk është caktuar seancë e re gjyqësore për rastin e lehonës nga Dibra, Jilldiz Veaposka, së cilës në vitin 2020 pas lindjes me prerje cezariane në spitalin e Strugës i janë hequr tre organe vezorja, mitra dhe njëra veshkë, shkruan Alsat.
Arsyet për zvarritjen e procesit gjyqësor janë se ende nuk është përgatitur superekspertizë nga profesorët e Fakultetit të Mjekësisë në Shkup, pasi prokuroria dhe mbrojtja kanë ofruar dy ekspertiza krejtësisht të ndryshme.
Avokati i Jilldizit druan se për shkak të kësaj, çështja mund të vjetërsohet.
Ai nuk dëshiron të dyshojë se i gjithë procesi po zvarritet qëllimisht.
“Çfarë do të bëjmë nëse lënda vjetrsohet, ndërsa superekspertiza nuk është gati. Kur të vjetërsohet lënda ajo do të thotë se vepra penale për të cilën ata akuzohen nuk është kryer kurrë. Megjithatë, prokurori publik është ai që e kundërshton këtë sjellje të mbrojtjes dhe të gjithë pjesëmarrësve në procedurë. Prokurori publik është i obliguar që ta përshpejtojë këtë proces. Erdhën gjërat për të shkuar në superekspertizë, gjë që nuk besoj se do të ndryshojë diçka rrënjësisht, për sa i përket faktit se kush është fajtori për atë që ka ndodhur me klienten time”, tha Sasho Janev-avokat i Jilldizit.
I akuzuari i parë në këtë rast është gjinekologu nga Struga, Muhamed Asani, e më pas djali i tij Berton Asani.
E akuzuara e tretë është mjekja Liljana Jovanoska.
Ata akuzohen për shkaktim të veprave të rënda kundër shëndetit të njerëzve.
Mjeku Asani tashmë është deklaruar i pafajshëm.
“Jam shumë e rraskapitur, nuk kam forcë dhe kërkoj që sa më parë të vihet drejtësia në vend. I lutem Zotit që të jem gjallë e me shëndet, ta pres drejtësinë të vihet në vend, të mos jetë e kundërta, të mos mund ta pres drejtësinë dhe të mos mund ta dëgjoj të vërtetën. Nuk jam mirë me shëndet, jam duke u trajtuar, shkoj nëpër mjekë, ndoshta do të duhet të kem edhe një operacion, ndaj kërkoj sa jam gjallë ta dëgjoj drejtësinë”, u shpreh Jilldiz Veaposka- e dëmtuar.
Në ekspertizën e mbrojtjes thuhet se dy mjekët ia kanë shpëtuar jetën Veaposkës.
Por në rastin e Mjekësisë Ligjore, thuhet se përkeqësimi i gjendjes shëndetësore ka ndodhur vetëm për shkak të veprimeve të ekipit shëndetësor në spitalin e Strugës.
Gjykata në Strugë thotë se gjykimi do të vazhdojë pas përfundimit të superekspertizës./ Alsat.mk