Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se dënon ashpër veprimin e gjykatësit nga Gostivari, i cili dënoi me 700 euro gazetaren Liridona Vejseli për shkak se gjatë raportimit të saj ia ka përmendur emrin gjykatësit që kishte gjykuar për një lëndë të ndjeshme në të cilën i akuzuari ishte dënuar me tre muaj burg për kërcënim dhe shantazh ndaj një të miture, përcjell TV21. Mickoski tha se liria e shprehjes është mbi të gjitha.
“Ashpër e dënoj tipin e këtillë të kufizimit të lirisë së shprehjes. Unë shpesh e kam thënë dhe tani do ta them. Gazetarët duhet të sillen me etikë, të shërbejnë që ta informojnë publikun. Liri e shprehjes është para dhe mbi gjitha dhe çfarëdo sulmi ndaj cilitdo gazetar, përfshi edhe këtë, e dënoj ashpër dhe apeloj që kjo mos të ndodhë në të ardhmen, pa dallim nëse është nga një politikan, figurë publike, gjykatës në këtë rast, sepse kjo mund të shtjellohet si kufizim i lirisë së shprehjes”, deklaroi mes tjerash Mickoski.


