Avokatët mbrojtës të të akuzuarve të rastit të Brodecit, të njohur si Stuhija Malore, kundërshtojnë vendimin e Gjykatës Evropiane për Liritë dhe të Drejtat e njeriut, e cila ka refuzuar ankesën. Ata vlerësojnë se gjykata ka bërë precedencë sepse ka lejuar që në marrjen e vendimit të bëjë pjesë edhe gjykatësi Jovan Ilievski, i cili ka drejtuar Prokurorinë Publike për krime të organizuara në vendin tonë, në kohën që lënda është gjykuar në Maqedoni.
Gjatë ditës së djeshme kemi pranuar aktgjykimin me të cilin është bë shkelje flagrante të rregullit numër tetë të rregullores së Gjykatës Evropiane për liritë dhe të drejtat e njeriut. Shkelja është bë pikërisht nga gjykatësi që ka marrë pjesë në gjykim, e që është gjykatësi nga Radhët e Gjykatësve të Maqedonisë Jovan Ilievski. Ai në bazë të rregullës është dashur të largohet nga kjo lëndë sepse ka qenë prokurori kryesor i Prokurorisë për krim të organizuar dhe e ka udhëhequr lëndën – deklaroi Miralem Asani, avokat i të dënuarve të “Stuhia Malore”.
Sipas avokatëve, shkelje është bërë edhe në vendimin e trupit gjykuese, e cila, sipas tyre, merr dy vendime shumë të ndryshme nga njëri tjetri.
Aktgjykimi në njërën nga pikat thotë se do të ishte mirë që të mos lejohet aplikacioni, dhe në pikën tjetër thotë se, Aplikacioni duhet refuzuar! Kur bëhet fjalë për refuzim, kjo do të thotë se nuk e kemi të bazuar kërkesën në bazë të parimeve dhe normave që funksionon gjykata Evropiane, por kur themi se është i palejuar, atëherë nuk është bërë kujdes që të plotësojmë kushtet minimale për të aplikuar në gjykatë –tha Sejfulla Osmani, avokat i të dënuarve të “Stuhia Malore”.
Eksperti i të drejtës ndërkombëtare Strasho Angelevski, shprehet se, kjo është një precedencë negativ që do ndikojë keq edhe për lëndët tjera në gjykatat tona dhe atë për mbrojtje të Lirive dhe të drejtave të njeriut në Strasburg. Sipas tij, vendimi është i paqartë.
Kontradikta del me fjalinë e fundit të vendimit, pra thotë se ankesa duhet të shpallet e pa kompletuar! Tani pas shtatë vitesh sillet ky vendim, ndërsa më lartë thotë se duhet patjetër të refuzohet dhe nuk thotë se a e refuzon apo jo – u shpreh Strasho Angellevski, ekspert.
Përndryshe, në rastin Stuhija Malore që ndodhi në 7 Nëntor të vitit 2007 në fshatin Brodec të malësisë së Sharrit, jetën e humbën shtatë persona, ndërsa dhjetë të tjerë u dënuan me gjithsej 113 vite burg.
Bashkim Sulejmani