Këshilli Etik i Prokurorisë Publike u mblodh për të shqyrtuar çështjen e distancimit të Prokurorëve Republikan shqiptar nga rikualifikimi i veprës në rastin e Almir Aliut. Këshilli i përbërë nga 5 anëtarë nën kryesimin e prokurorit nga Shtipi, Todor Vitarov dhe anëtarin shqiptar brenda këshillit, prokurorin e lartë, Bari Shabani nuk japin detaje rreth konkluzioneve nga mbledhja e sotme.
Për zhvillimet dhe vendimet e mundshme të Këshillit, informacion nuk ndajnë as nga Prokuroria Publike. Në këtë Këshill nuk ka marr pjesë kryeprokurori Lubomir Joveski, i cili përmes telefonit na shpjegoi se rreth vendimeve të Këshillit do të njoftohemi në kohë. Mbledhja e Këshillit të Etikës vjen pas paralajmërimeve dhe reagimit të kryeprokurorit Joveski ndaj distancimit të Prokurorëve Republikan shqiptar nga rikualifikimi i veprës në rastin e Almir Aliut.
Më 16 mars, katër Prokurorët Republikan: Xhelal Bajrami, Bashkim Besimi, Ismail Dardhishta dhe Ferat Elezi u distancuan nga qëndrimi i Prokurorisë Publike dhe asaj Themelore të Kumanovës, duke konstatuar se me rikualifikimin e veprës nga “vrasje” në “vepër të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”, përveç që është bërë shkelje e lirive dhe të drejtave të njeriut, është shkel edhe ligji mbi Prokurorinë Publike pasi që sipas tyre, aktakuza “vrasje” ka korresponduar plotësisht me veprimet e të akuzuarit Boban Iliq. Në të njëjtën ditë, kryeprokurori Joveski dënoi veprimin e kolegëve të tij dhe paralajmëroi masa disiplinore.
Pak ditë më pas, Joveski në një prononcim për Alsat M pranoi se vendimi për rikualifikimin e veprës është bërë para ardhjes tij dhe se pavarësisht kërkesës së Liljana Spasovskas e cila aso kohe ishte ushtruese e detyrës, që vendimi të merret pas ardhjes së kryeprokurorit të ri, Joveski kishte vlerësuar se nuk ka nevojë për kolegj të ri dhe se vepra duhet të rikualifikohet për shkak se tek i akuzuari nuk është konstatuar paramendimi gjatë kryerjes së veprës.
Rikualifikimi nxiti protesta dhe reagime. Opinioni kërkoi dorëheqjen e Joveskit, prokurores së lëndës Suzana Kusigerska dhe gjykatëses Maja Denokovsa. Seanca e radhës për rastin e Almirit është caktuar për 2 prill ku edhe do të jepen fjalët përfundimtare të palëve.
Adrian Kerimi