26 Dhjetor 2018 / 15:24
Gjykata e Apelit Shkup shfuqizoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore Shkupi 1- Shkup për Gjoko Popovskin, në rastin “300” të PSP-së. Me këtë, u shfuqizua dënimi me burg prej 9 vjetësh dhe detyrimi për të kompensuar dëmin prej rreth 450,000 eurove për prokurimin e automjeteve për policinë, të cilën e ka bërë si ndihmës ministër në Ministrinë e Brendshme. Avokatja e tij, Sanja Aleksiq, ende nuk e di se cili është sqarimi i gjykatës më të lartë për shfuqizimin e aktgjykimit të shkallës së parë.
Gjëja e parë që e di mbrojtja është se aktgjykimi i Gjykatës Themelore Shkup 1 Shkup lidhur me Gjoko Popovskin në rastin 300, i njohur për publikun, u shfuqizua. Megjithatë, ende nuk e kemi marrë aktgjykimin me shkrim të Gjykatës së Apelit dhe nuk mund të komentojmë mbi atë që është pranuar si apelim i mbrojtjes- deklaroi Sanja Aleksiq – avokate e Gjoko Popovskit.
Duke mbrojtur interesin e klientit të saj, Aleksiq sot vendosi të mos ndajë hollësitë e ankesës së tyre ndaj Apelit, përveç atë se janë ankuar për disa arsye. Sipas disa burimeve të sigurta, gjasat janë të mëdha që Apeli ka konstatuar shkelje të konsiderueshme të dispozitave të procedurës penale. Ligji njeh më shumë baza të tilla, por as jozyrtarisht deri tani nuk është komentuar më në detaje. Gjyqtarja që e ka shqiptuar vendimin në shkallë të parë është Dobrilla Kacarska.
Ky është vendimi i dytë mbi akuzën e PSP-së, që bie në Apel. I pari ishte për aktgjykimin Titanik 2, por vetëm për dënimin 1.5 vjet burg për të arratisurin Goran Grujevski. Edhe atëherë gjykata më e lartë gjeti një shkelje substanciale të procedurës, më saktësisht se kërkesat ligjore nuk u përmbushën për të akuzuarin Grujevski, për ta gjykuar në mungesë.
Alsat
Loading…


