Raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Tomas Vaic, në draft-raportin për progresin shpreh nevojën që të gjithë aktorët politikë, veçanërisht Qeveria, të japin rezultate të prekshme në fushat kyçe. Rekomandohet rinovim i angazhimit politik, përfshirë ndryshimet kushtetuese, bashkëpunimin konstruktiv ndërpartiak dhe mbikëqyrjen efektive parlamentare për përparimin e reformave. Ai thekson se nuk është arritur përparim lidhur me ndryshimet kushtetuese, për shkak të shqetësimeve për bllokada ose kërkesa të mundshme shtesë bilaterale nga Bullgaria. Sipas tij, nevojitet rritje urgjente e vullnetit politik nga të dyja palët për të tejkaluar këtë ngërç.
“Maqedonia e Veriut aktualisht ndodhet në një pozitë të vështirë, pasi procesi i anëtarësimit është i bllokuar. Pavarësisht disa reformave pozitive, përparimi në Agjendën e Reformave të BE-së veçanërisht në fusha kyçe si sundimi i ligjit, reformat në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit është i pamjaftueshëm. Kjo vjen si pasojë e fushatës zgjedhore, kapaciteteve të kufizuara në administratën publike dhe mungesës së përkushtimit politik afatgjatë.”.
Vaic shton se në të njëjtën kohë BE-ja dhe shtetet e saj anëtare duhet të përmbushin detyrimet e tyre, ta mbështesin plotësisht vendin, përfshirë edhe përmes angazhimit aktiv diplomatik.
“Duhet ta mbështesim plotësisht vendin, përfshirë përmes angazhimit aktiv diplomatik, për ta ndihmuar Maqedoninë e Veriut të përparojë në përmbushjen e obligimeve të veta dhe të kapërcejë pengesat ekzistuese. Sa i përket kësaj institucioni, ashtu si edhe në periudhën e mëparshme raportuese, mbetem i përkushtuar për të nxitur një shumicë të qëndrueshme, konstruktive, pro-evropiane, pro-demokratike dhe pro-zgjerimit në mbështetje të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Pres të siguroj mbështetjen e të gjithë deputetëve që ndajnë këtë qëllim strategjik.”.
Vaic këmbëngul për hetime dhe vendime gjyqësore të formës së prerë në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, të cilat do të shërbenin si shembull se problemet po zgjidhen në të gjitha nivelet dhe se nuk ka pandëshkueshmëri. Draft-raporti do të kalojë të gjitha filtrat në Parlamentin Evropian para se të arrijë në seancë plenare dhe gjatë këtij procesi mund të pësojë ndryshime përmes amendamenteve, prandaj versioni përfundimtar do të jetë i njohur vetëm pas përfundimit të të gjitha fazave në PE. Draft-raporti vjetor për progresin e vendit, Vaic do t’ia paraqesë Komitetit të Punëve të Jashtme të PE-së javën e ardhshme, më 26 shkurt.RTM2


