Përmirësimi i mënyrës së raportimit të mediave gjatë zgjedhjeve me balancim më të madh, por edhe fjalë e urrjejtes dhe fushatë e zezë politike nga partitë, janë vërejtur në prag të zgjedhjeve lokale, ndërsa numri i zvogëluar i sulmeve mbi gazetarë nuk mund të jetë garancë për liri të fjalës.
Kjo u potencua në debatin e sotëm “Raportimi i mediave në fushatën zgjedhore, përvojat dhe sfidat”, në organizim të Shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë dhe organizatës qytetare Onlimit media.
Drejtori i ASHMАA, Zoran Trajçevski tha se përmirësimi lidhur me raportimin medial pa kurrëfarë ndryshime ligjore lidhur me ciklet paraprake zgjedhore, tregon se mediat kanë kapacitet dhe vullnet për këtë.
“Vetëm te një medium ekziston mosbalancim, ndërsa tek të tjerat ka respektim konsekuent. Gjatë 70 ditëve të kaluara është ngritur procedurë për kundërvajtje për mosbalancim kundër TV Alfa”, deklaroi Trajçevski.
Xhabir Deralla nga Civil potencoi se në vend se të informohen, njerëzit kontaminohen me urrejtje përmes mediave dhe ekzistojnë vërejtje serioze për sjelljen e gjykatave.
Ai tha se cilësia e mediave bie në mënyrë proporcionale me kuantitetin e fjalës së urrjejtjes.
Kryetari i SHGM-së, Naser Selmani tha se ekziston trend i zvogëlimit të sulmeve mbi gazetarët dhe tani nuk është vërejtur asnjë sulm fizik mbi gazetarë.
“Policia filloi seriozisht t’i hetojë sulmet, por brengos fakti se prej 54 sulmeve, për asnjë rast nuk ka epilog gjyqësor. Kjo tregon politikë të qartë të mosdënimit. Vetëm 10 raste janë hetuar tërësisht dhe janë parashtruar pesë padi. Me politkën e mosdënimit nuk mund të presim përmirësim të lirisë së fjalës”, tha Selmani.