Televizioni Shenja ka siguruar video inçizimin e seancës së Këshillit të Agjencisë së Medieve, ku me mbivotim ky trup vendosi që të përmend Televizionin SHENJA, Telma dhe 24 Vesti në mesin e televizioneve që kanë thyer rregullat e raportimit, pa asnjë bazë për këtë. Kryetari i këshillit, Llazo Petrushevski, gjatë prezantimit të raportit vjetor i përmendi Televizionet Sitel, Alfa dhe televizionin Nova, si mediat më të dënuara. Në këtë raport nuk u përmendën televizionet Shenja, 24 vesti dhe televizioni Telma.
“Mediat më të dënuara dhe mediat ndaj të cilave më së shumëti masa janë marrë ndaj Televizionit Sitel, Alfa dhe Televizioni Nova…”, tha Petrushevski.
E ndërkaq, që të njolloset emri i televizionit Shenja si media e cila nuk ka raportuar në mënyrë të balancuar, në këtë seancë kanë këmbëngulur anëtarët shqiptarë në këtë komision Milaim Fetai dhe Selver Ajdini. Fetai dha vlerësimin e tij personal ndaj televizionit Shenja, duke kërkuar që ky vlerësim të futet në raportin zyrtar.
”Ky televizion edhe më tej vazhdon me raportimin e njënanshëm edhe në aspekt të minutazhës edhe në aspekt të përmbajtjes së programit që ishe edhe e dëshmuar. Trupi Ad Hoc poashtu nuk ka treguar rëndësi për këtë, dhe ka kaluar ashtu sikur edhe ky televizion është i balancuar sikur të gjitha të tjerat. Për këtë arsye jam në dilemë, nuk e di sa është e përshtatshme ajo, që vërejtje ime të futet në proces verbal. Unë mendoj për Tv Shenjën”, deklaroi Fetai.
Ky propozim nga Milaim Fetai u mbështet edhe nga anëtari tjetër shqiptar i Këshillit të Agjencisë së Medieve, Selver Ajdini.
“Vetëm e mbështes atë që e tha zotëri Fetai, le të qëndrojë edhe Tv Shenja”, deklaroi Ajdini.
Pas insistimit të dy anëtarëve shqiptarë, anëtarët e Këshillit me shumicë votash vendosën që televizioni Shenja, bashkë me televizionet Tellma dhe 24 Vesti të përmenden në mesin e televizioneve që kanë shkelur rregullat, si Sitell, Kanal 5, Alfa dhe Nova. Kundër vendimit të tillë politik të Agjencisë së Mediave ka qenë vetëm anëtari i propozuar nga SHGM në Agjencinë e Mediave, Zoran Fidanovski, i cili këtë vendim e quajti politik.
Ajnur Bafqari /SHENJA/
Raporti për mediat, ja se si anëtarët shqiptarë… by tvshenjaofficial