Rami Mislimi
Reforma e BDI-së nuk do të mund të ishte kurrë më e fuqishme sesa kjo që ndodhi sot. Kjo reformë përbën një precedent historik, jo vetëm për partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, por pse jo edhe në rajon. Të bësh mbi 80 për qind ndryshime në strukturat drejtuese të një partie është akt guximi, vizioni dhe force politike.
Reforma që sot ndërmori Ali Ahmeti është dëshmi e qartë se BDI nuk po mbyllet, por po përgatitet të qëndrojë e fuqishme edhe për 20 vitet e ardhshme. Është një reformë që nuk do të kishte guxim ta bënte asnjë lider tjetër, në asnjë kohë e aq më pak një lider që ndodhet në opozitë dhe që goditet njëkohësisht nga shteti, nga oligarkët dhe nga ata që u rritën e u pasuruan pikërisht në emër të BDI-së.
Të gjithë kërkonin reforma. Të gjithë bërtisnin “reforma, reforma”. Por sapo reforma ndodhi, të njëjtët njerëz filluan sharjet dhe kritikat duke thënë se “kjo nuk është reformë”.
Sepse reforma i goditi aty ku dhemb më shumë te posti, te interesi, te privilegji.
Sonte nuk do të kisha shkruar, sepse nuk jam anëtar i BDI-së dhe as nuk më takon të ndërhyj në vendime të brendshme partiake. Por arsyeja kur lexova reagimet e atyre që për vite të tëra e shfrytëzuan BDI-në, e “hëngrën” BDI-në, u pasuruan në emër të saj dhe në emër të Ali Ahmetit, dhe sot vetëm sepse nuk janë pjesë e kryesisë dalin e thonë se kjo nuk qenka reformë.
Pikërisht sepse ata nuk janë më në listë, kjo është reformë. Madje është reformë e fortë dhe e vërtetë. Sepse sot shihet qartë kush e do partinë, kush e do BDI-në dhe kush e respekton Ali Ahmetin.
Ta duash partinë edhe kur nuk ke poste kjo është sinqeritet.
Ta respektosh Ali Ahmetin edhe kur nuk përfiton kjo është sinqeritet.
Ta duash BDI-në edhe kur nuk ke pozicion kjo është besnikëri.
Por ta duash BDI-në vetëm kur merr poste, kjo nuk është as dashuri, as besnikëri, por është interes.
Meritokracia dhe burrëria nuk maten kur je në listë. Ato maten pikërisht kur nuk je në listë, por del dhe e përshëndet vendimin. Këtë e bëjnë vetëm njerëzit e mëdhenj.
Nëse sot fillojmë me “pse unë jo e pse ai po”, atëherë le të vazhdojmë pyetjet:
Pse ti ke banesë në Durrës, Shkup e Ohër, ndërsa tjetri jo?
Pse djali yt vozit BMW 7, ndërsa tjetri Golf 3?
Pse vajza jote blen tesha Guci e Luis Viton, ndërsa vajza e tjetrit blen te Vaikiki?
Apo don të vazhdojmë më tej?
Nëse reforma e BDI-së do të ishte e plotë 100%, atëherë një pyetje tjetër:
Si ishe dje, para se të ishe funksionar i BDI-së, dhe si je sot?
Andaj reforma e BDI-së dhe vendimi i Ali Ahmetit e kanë vulosur një të vërtetë të madhe. BDI di të bëjë reforma, BDI di të pastrohet, dhe BDI di të ecë përpara.
Sonte BDI vulosi të ardhmen e saj për 20 vitet e ardhshme dhe hapi rrugën për t’u shndërruar në një parti serioze që do të bartë procese të mëdha shtetërore dhe do të bashkëpunojë me të gjithë për ta çuar vendin drejt Bashkimit Evropian.
Kjo reformë është shembull jo vetëm për partitë shqiptare, por edhe për partitë maqedonase se si bëhen reformat, se si hapen krahët dhe se si ecet me kokën lart drejt së ardhmes.
Sonte BDI dhe Ali Ahmeti vulosën mesazhin më të fortë:
E ardhmja i takon ndryshimit, jo atyre që pasurohen në emër të partisë dhe më pas e sulmojnë atë.
Ali Ahmeti edhe një herë dëshmoi se është lider i madh, largpamës dhe me guxim të jashtëzakonshëm.
Reforma e BDI-së në Kongresin e V i ka hapur Ali Ahmetit rrugën për një fitore të fuqishme në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që ato të mbahen.
Ndërsa të pakënaqurit e sotëm, nesër do të turpërohen nga reagimet që sonte i kanë bërë.


