Sekretari i Përgjithshëm i ASH, Blerand Ramadani, në emisionin ZOOM, ka folur për mundësinë e bashkimit të Aleancës për Shqiptarët.
Ramadani ka deklaruar se ata kanë qenë bashkë për shtatë vite dhe vetëm një vit kanë qenë të ndarë dhe janë përballur mes tyre. Ai tha se më shumë ka arsyeje për bashkëpunim sesa për ballafaqim.
“Nuk është çështja te bashkimi i emrave, por duhet të ketë bashkim të koncepteve dhe emrave. Tani është koha të ofrojmë zgjidhje për partinë dhe qytetarët tanë. Nuk duhet ta rikthejmë debatin në aspektin emocional dhe personal, pasi atëherë do ta vështirësojmë ribashkimin. Shqiptarët kanë më shumë nevojë për bashkim dhe jo përçarje dhe bashkimi sjellë fryte”, u shpreh Ramadani.
Ramadani ka folur për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare me ato lokale. Ramadani ka thënë se kjo mund të ndodhë varësisht qasjes së Qeverisë mbi ASH-në.
Ai ka shtuar se në rast se vjen mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare atëherë ne si subjekt do të organizohemi në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Largimi i ASH-së nga Qeveria do të mund të impononte një mundësi që të mbahen zgjedhjet të parakohshme parlamentare bashkë me ato lokale, pasi ASH është subjekti politik i cili garanton stabilitet në shumicën qeveritare”, shtoi Ramadani.