Nga Blerant Ramadani
Ligji i propozuar për përfaqësim të drejtë dhe të barabartë, në formën që paraqitet sot, nuk përmbush këtë parim. Ai nuk është reformë substanciale, por një fasadë ligjore që rrezikon të legalizojë përjashtimin përmes një retorike të re.
Në vend që të bazohet në detyrime të qarta, mekanizma kontrolli dhe sanksione konkrete, propozimi mbështetet mbi dëshira të mira dhe pritshmëri naive se institucionet do të vetërregullohen – ndërkohë që realiteti na dëshmon të kundërtën!
Një ligj pa mjete matëse dhe pa mekanizma detyrues nuk është instrument për barazi – është një alibi për ta shtyrë drejtësinë edhe më tej në kohë. E drejta për përfaqësim nuk mund të jetë një “mundësi”, por duhet të jetë një detyrim kushtetues i zbatuar dhe i monitoruar.
Si përfaqësues politik, nuk jemi kundër përfaqësimit – përkundrazi, jemi kategorikisht kundër çdo përpjekjeje për ta relativizuar atë. Kërkojmë një ligj që matet, zbatohet dhe kontrollohet, jo një tekst që krijon iluzionin e barazisë pa sjellë asnjë ndryshim real në terren.
Shqiptarët nuk kërkojnë favore – kërkojnë drejtësi. Dhe pa drejtësi në përfaqësim, nuk mund të ketë as barazi, as besim të ndërsjellë në këtë shtet.
*autori është sekretar gjeneral i ASH